“Kosova, një dhe e pandarë”. Kolegët e Afrim Bunjakut rikthehen në Banjskë për emërimin e rrugës

Nga Ideal Gola
24 Shtator 2024, 21:05 | Aktualitet

Dy efektivët policorë që iu përgjigjen të parët sulmit në Banjskë së bashku me Afrim Bunjakun u rikthyen në vendin e njëjtë ku u sulmuan para një viti, shkruan A2 CNN. Alban Rashiti e Mirsad Kryeziu treguan për momentet e para dhe tentativat e tyre për të tërhequr trupin e Afrim Bunjakut që humbi jetën në krye të detyrës.

“Sot bëhet një vit prej rastit që kemi pasur ku heroikisht ka rënë kolegu ynë, ka humbur jetën, ka qenë ditë normale, mbrëmje normale, kemi pa diçka që është e parregullt bllokim i kamionëve aty ka filluar sulmet dhe mandej ka vazhduar”, thotë Alban Rashiti, efektiv i plagosur gjatë sulmit në Banjskë.

“Kur ne kemi parë se janë kamionët atje kemi ditur se diçka nuk është në rregull dhe kemi paraqitur rastin te dhoma komanduese pastaj janë kryer veprimet tona të mëtutjeshme”, Mirsad Kryeziu, efektiv i Policisë së Kosovës.

Të dy efektivët së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kreun e Kuvendit Galuk Konjufca e ministra e struktura të larta të policisë e familjen Bunjaku, bënë përurimin e tabelës që shënon emrin e ri të rrugës rajonale Ballaban-Banjskë, pikërisht në vendin ku humbi jetën.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti deklaroi se 105 lloje armësh e mbi 80 municion të konfiskuar dëshmojnë se grupi ishte përgatitur për një konflikt më të gjerë e më të gjatë.

“Plani ishte që të ndahet Kosova, plani ishte që të aneksohet një pjesë e territorit dhe rënia e Afrim Bunjakut nuk ishte e kot, përkundrazi, ajo është fitore e madhe e shtetit të Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në mbrojtje të tërësisë territoriale. Kosova është një dhe e pandashme”, tha kryeministri Kurti.

Kurti shtoi se një vit më parë ndodhi akt agresioni kundër sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, paqes, sigurisë, kushtetushmërisë dhe ligjshmërisë së shtetit të Kosovës.

Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të mbajë përgjegjës Serbinë dhe të 45 të akuzuar nga Prokuoria Speciale për këtë ngjarje të ekstradohen në Kosovë. “Kriminelët e llojit të Radoiçiçit, Veselenoviçit dhe të ngjashmëve nuk mund të fitojnë, nuk mund të jenë të lirë në Kosovën demokratike të pavarur dhe evropiane, ata fitojnë tendera, ata sillen lirë në Serbinë autokratike proruse”, tha Kurti.

Në sulmin terrorist të Banjskës, përpos Afrim Bunjakut, humbën jetën edhe tre terroristë, ndërsa tre të tjerë janë arrestuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos