Konkluzionet e BE për zgjerimin, shqetësim për veriun e Kosovës, Banjska “rëndon” mbi Serbinë

Nga Xhevahir Qardaku
17 Dhjetor 2024, 19:47 | Aktualitet

Bashkimi Europian shpreh shqetësim të madh për tensionet në veriun e Kosovës, si pjesë e konkluzioneve për zgjerimin të miratuara në Këshill.

Aty konfirmohet se masat e vendosura nuk do të hiqen, pa u plotësuar kushtet e paktit të qershorit 2023, konkretisht pa u bërë kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë dhe policisë. Gjithashtu kërkohet që autorët e sulmit në kanalin e Ibër-Lepenc të dërgohen para drejtësisë. E njëjta thirrje përsëritet edhe për sulmin terrorist në Banjskë dhe dhunën e ushtruar nga serbët kundër KFOR-it, policisë së Kosovës dhe mediave në Veri, shkruan A2.

Sa i përket konkluzioneve për Serbinë, Këshilli i Bashkimit Europian shpreh keqardhjen se ky shtet nuk ka bërë mjaftueshëm për dorëzimin e autorëve të sulmit të Banjskës në duart e drejtësisë së Kosovës. Kritika për Beogradin kishte edhe për çështjen e të pagjeturve të luftës dhe trajtimin e minoriteteve. Si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, BE-ja kërkon që të zbatojnë në tërësi marrëveshjen e normalizimit dhe të vazhdojnë përpara në dialogun e lehtësuar nga Brukseli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos