Kosova kërkon transparencë nga Serbia pas arrestimit të Avni Qenajt

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2025, 18:50 | Aktualitet

Kosova kërkon transparencë nga Serbia pas arrestimit të Avni

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) menjëherë pas marrjes së informacionit mbi arrestimin e shtetasit të Kosovës Avni Qenaj, nga autoritetet e Serbisë, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka ndërmarrë veprimet e para duke i adresuar Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, kërkesë zyrtare për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen aktuale ku ai po mbahet, si dhe çdo informacion tjetër të domosdoshëm për trajtimin e mëtejmë të rastit, raporton A2 CNN.

Paralelisht, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi e ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra.

Gjithashtu është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës, shkruan A2 CNN.

Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës të personit të arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet.

MPJD rithekson angazhimin e saj të plotë dhe të pandërprerë për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit dhe siguron se opinioni publik do të informohet me kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme për të gjitha zhvillimet, raporton A2 CNN.

Edhe njëherë, MPJD i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos