Korriku i këtij viti, muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë

Nga A2 CNN
11 Gusht 2025, 19:01 | Aktualitet
Korriku i këtij viti, muaji më i nxehtë ndonjëherë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur të hënën se në muajin korrik është regjistruar temperature rekorde – mbi 40 gradë Celsius.

“Vlerat maksimale prej 42.4°C në Klinë dhe 42.3°C në Han të Elezit janë të pashembullta në historinë klimatike të vendit dhe tregojnë një devijim të madh nga mesatarja shumëvjeçare për këtë muaj”, ka thënë Instituti përmes një postimi në Facebook, duke treguar se mesatarja e korrikut në Kosovë shkonte mes 30-35 gradë Celsius.

Para korrikut të vitit 2025, temperatura më e lartë ndonjëherë ishte regjistruar në Prizren më 1987 – 40.8 gradë Celsius.

Sipas Institutit, shifrat e korrikut të këtij viti janë konfirmim i paralajmërimeve shkencore për përshpejtimin e ndryshimeve klimatike.

“Rritja e temperaturave ekstreme është një nga pasojat më të drejtpërdrejta të ngrohjes globale. Modelet klimatike dhe raportet ndërkombëtare (p.sh., IPCC) parashikojnë se Evropa Juglindore, përfshirë Ballkanin, do të përballet me më shumë valë të të nxehtit, thatësira të gjata dhe reshje të rralla por intensive. Korriku 2025 përkon me këtë tendencë, duke reflektuar një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të ngarkuar me energji termike”, është thënë në postimin në Facebook./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos