Qeveria aktuale e Kosovës është zyrtarisht në statusin “në detyrë” pasi ka përmbushur mandatin e saj të plotë 4-vjeçar.
Pikërisht në datën kur 4 vite më parë mbajti mbledhjen e parë të punës për Qeverinë e tij, Kurti sërish mblodhi ministrat duke u krenuar për arritjet dhe sukseset e kabinetit qeveritar.
Duke u ndalur në secilën fushë, Kurti tha se janë qeveria më e sfiduar por që kanë shërbyer për të mirën e qytetarit dhe për interesin e shtetit.
“Në ballafaqim me pandeminë, përballë krizave të energjisë dhe inflacionit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, përkundër pengesave dhe vonesave dëshpëruese me ankesa opozitare në Gjykatë Kushtetuese që bllokuan shumë gjëra përfshirë edhe atë të çmimeve tavan për produktet bazike, pavarësisht sulmeve paramilitare dhe terroriste dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, e përmbi zhurmën e madhe të debateve televizive të mbrëmjes, qeveria jonë ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”, tha Kurti
Si Qeveri në detyrë, tashmë ekzekutivi kufizohet me propozimin e projekligjeve, emërimet, miratimin e strategjive apo koncept dokumenteve si dhe në çështje të tjera.
“Qeveria vetëm duhet që ta mbajë këtë rrjedhën logjike të mos ketë ndonjë krizë e gjithashtu të mos e lejojmë ndonjë ngërrç politik por vendimet i merr vetëm në situata të jashtëzakonshme diçka që nuk duhet që Qeveria e Republikës së Kosovës ta tejkalojë por duhet të ketë kujdes në mënyrë që vendimet e saj të mos jenë ekuivalente dhe të njëta me vendimet të cilat qeveria i ka pasur kompetencë ti merr gjatë ushtrimit të mandatit të plotë”, tha Melos Kokshi, IKD.
Një përplasje mes neneve kushtetuese për ditën kur nis mandati i deputetit, në momentin e certifikimi të rezultatit apo në ditën kur betohet në seancën e parë konstituive, ka ngritur pikëpyetje se kur duhet ministrat të dorëhiqen për të ruajtur mandatet e deputetit të fituara më 9 shkurt.
“Instituti i Kosovë për Drejtësi në lidhje me këtë çështje dhe këtë diskprepancë vlerëson se duhet ndjekur rrjedha logjike në mënyrë që kjo rrjedh logjike nënkupton që deputeti duhet që ta marr mandatin në ditën e konstitutimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për arsye se nga ajo ditë rrjedhin dhe përgjegjësitë si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, rrjedh paga, kompentencat”
Zëvendëskryeministri Besnik Bilsimi dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, të cilët nuk garuan fare në zgjedhje, janë vetëm dy nga 18 anëtarët e kabinetit qeveritar të cilët nuk kanë fituar mandatet për deputetë. (A2 Televizion)
Kurti mbledh ministrat, qeveria me kompetenca të kufizuara
