Mbyllet një institucion paralel i Serbisë në Shtërpcë, Rizvanolli: S’ka vend për strukturat e Beogradit

Nga A2 CNN
23 Prill 2025, 09:29 | Aktualitet
Mbyllet një institucion paralel i Serbisë në Shtërpcë,

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se është mbyllur një tjetër institucion paralel i Serbisë që funksiononte në territorin e Kosovës.

Kompania “Novo Javno Preduzeće” ka qenë institucion paralel i Beogradit për ujësjellësin dhe mbeturinat, që ka operuar në mënyrë të jashtëligjshme në komunën e Shtërpcës.

Në një postim në Facebook, Rizvanolli theksoi se asnjë institucion paralel i udhëhequr nga Serbia nuk ka vend në territorin e Republikës së Kosovës dhe se çdo përpjekje për paralelizëm institucional do të dështojë.

“Pas kërkesës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike drejtuar Policisë së Kosovës, sot është ndërprerë veprimtaria e kësaj kompanie të jashtëligjshme. Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë të veprojë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim, në tërë territorin e vendit”, thotë ajo.

Ministrja falënderoi Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe kërkoi hetime të menjëhershme nga Prokuroria lidhur me dëmet dhe përfitimet e mundshme që ka shkaktuar kompania në fjalë përmes veprimtarisë së saj të paligjshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos