Mbyllja e strukturave paralele, protestojnë serbët në veri: Duam të kthehemi në punë

Nga Rosalba Bejdo
2 Shtator 2024, 15:53 | Aktualitet

Rreth 300 qytetarë serbë protestuan para një objekti që ishte përdorur nga disa institucione paralele serbe në Mitrovicë të Veriut më 2 shtator, kundër pamundësisë për t’u kthyer vendet e punës. Protesta e punonjësve të administratës në komunën paralele, u zhvillua pak ditë pasi autoritetet në Kosovë mbyllën pesë institucione paralele në veri, përfshire edhe atë të Mitrovicës, me pretendimin se po  punonin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e "cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Një numër i shtuar i pjesëtarëve të policisë së Kosovës, u pa para objektit të rrethuar me shirita. E megjithatë manifestimi u zhvillua qetësisht dhe u mbyll pa incidente.

“Sot kanë ardhur punëtorët të cilët kanë punuar në strukturat paralele për t’u paraqitur në punë. Në mesin e tyre ka pas edhe qytetarë të cilët janë bashkëngjite, kanë qenë diku 70-80 persona. Protesta ka qenë, në fakt kanë tentuar të hynë brenda për të punuar, ne i kemi treguar që kjo ndërtesë është duke u hetuar nga prokurori në Mitrovicë dhe si i tillë është i blinduar dhe as ne si polici nuk mund të hymë brenda. Kjo është sqaruar nga kolegët tonë që kanë qenë këtu, masat janë marrë të sigurisë që në rast se ka nevojë për ndërhyrje ta bëjmë një gjë të tillë, por nuk ka pas nevojë, çdo gjë ka kaluar qetë”, tha Elshani.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e veriu, dha gjithashtu detaje lidhur me hetimet që po zhvillohen sa I përket aktivitetit të strukturës ilegale.

“Rasti lidhet me falsifikim të dokumentacioneve të punës së strukturës paralele, çështje të tjera, ndërsa dihet se kjo ndërtesë është pronë e Komunës së Mitrovicës, e cila iu është dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Infrastrukturës e që për qëllime në fund ka hapjen e qendrës për trajnim të patentë shoferëve”, tha ai.

Aksioni i 30 gushtit, i kryer nga institucionet e Kosovës u cilësua si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe po ashtu u kundërshtua nga lista serbe dhe Beogradi zyrtar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos