Tensionet në veri, Shqipëria gati të çojë ushtarë në Kosovë, ministri i Mbrojtjes takon Albin Kurtin

Nga Xhevahir Qardaku
30 Gusht 2024, 15:07 | Aktualitet

Dorën në zemër e vendosi në intonimin e himnit shqiptar. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, priti me nderimet më të larta homologun e tij nga Tirana, Pirro Vengu.

Ata u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në shumë sektorë të sigurisë. Në konferencën për shtyp, ministri Vengu u pyet nga A2 CNN nëse Shqipëria planifikon të shtojë trupat në Kosovë si pjesë e lëvizjeve të fundit nga vendet e NATO-s.

“Shqipëria është e gatshme për shtimin e trupave ushtarak në Kosovë, këtë e ka nëse është e nevojshme. shteti shqiptar nuk ka asnjë rezervë”, tha Vengu, raporton A2.

Ministri shtoi se autoblindat shqiptare “Shota” do të jenë pjesë e ushtrisë së Kosovës dhe se për trajnim trupat e FSK do të kenë gjithçka në dispozicion në Shqipëri, shkruan A2.

“Kosova vijon të jetë prioritet absolut i Shqipërisë dhe si rrjedhoje prioritet parësor i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka qenë gjithmonë në krahë dhe në mbështetje të zhvillimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, u shpreh Vengu.

Kurse Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se Kosova synon të jetë pjesë e NATO-s dhe e strukturave tjera euroatlantike, bashkë me Shqipërinë dhe mbështetjen e saj, transmeton A2.

Gjatë vizitës në Prishtinë, ministri Vengu u takua dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin zhvilloi një bisedë të hapur dhe miqësore për urat që lidhin dy vendet.

Shefi i qeverisë në një deklaratë nënvizoi se pret thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe kërkoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos