Milionat e humbura nga kontratat kolektive: Komunat kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria

Nga A2 CNN
3 Tetor 2025, 17:52 | Aktualitet

Milionat e humbura nga kontratat kolektive: Komunat kërkojnë

Ahmet Pllana, arsimtar i historisë me 40 vjet përvojë në Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë, mori mbi pesë mijë euro për përfitimet që i takonin sipas kontratës kolektive, por vetëm pas pensionimit në vitin 2022.

Një pjesë e këtyre parave duhej t’i ishin paguar gjatë viteve të punës, por pagesa u vonua dhe u bë e mundur vetëm pas vendimeve gjyqësore.

“Pagën jubilare dhe tri pagat e pensionimit i mora nga komuna pa gjyq. Por, për shujtën dhe pagesën për kualifikim u detyrova të shkoj në gjykatë, dhe vetëm pas dy vjetësh mora 2.800 euro për kualifikim dhe 1.800 euro për shujtën”, tregon Pllana për Radion Evropa e Lirë.

Që nga viti 2014, Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Arsimit në Kosovë kanë nënshkruar së paku tri kontrata kolektive për të përmirësuar të drejtat e punëtorëve, por ato nuk janë zbatuar plotësisht dhe, ndërkohë, janë ndërprerë, përcjell A2.

Si rezultat, shumë punonjës të arsimit kanë shkuar në gjykata për të marrë përfitimet që u takonin, dhe shpesh gjykatat kanë vendosur në favor të tyre.

Kontrata e fundit kolektive në arsim u nënshkrua në vitin 2021, por u ndërpre njëanshmërisht nga Ministria e Arsimit në vitin 2022, me arsyetimin se nuk është menaxhuar siç duhet.

Problemi financiar i komunave

Ligjërisht, këto përfitime duhet të paguhen nga komunat, por Qeveria qendrore nuk u ka dhënë atyre buxhet shtesë.

Në rastet kur këto përfitime nuk janë dhënë, punonjësit e arsimit dhe të shëndetësisë - të cilët gjithashtu përfitojnë nga kontratat kolektive - kanë kërkuar drejtësi përmes gjykatave.

“Në tre vjetët e fundit, mbi 60 mijë mësimdhënës në nivel vendi u janë drejtuar gjykatave dhe të gjithë i kanë fituar rastet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).

Ai shton se kjo është e padrejtë, pasi kontratat janë nënshkruar me nivelin qendror, ndërsa përgjegjësia financiare u bie komunave si punëdhënëse të punëtorëve të arsimit, por edhe të shëndetësisë.

Sipas një raporti të publikuar në maj të këtij viti nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, me titull “Në kërkim të zgjidhjes: Problemet përmbarimore në komuna”, kontratë kolektive në sektorin e shëndetësisë është nënshkruar fillimisht në vitin 2015, e më pas në vitin 2018.

Ajo ka qenë në fuqi deri në fund të vitit 2021.

Dhe, ndryshe nga arsimi, kjo kontratë parashihte edhe pagesën e rrogës së trembëdhjetë vjetore.

Shërbyesit civilë janë duke kërkuar, po ashtu, kompensime përmes gjykatave, kryesisht për shujta dhe shpenzimet për transport.

Përmbaruesit, për kthimin e këtyre kompensimeve janë duke i paguar komunat.

Raporti i GAP-it tregon se gjatë vitit 2024, disa komuna kishin shpenzime përmbarimore më të larta se të hyrat vetanake, ndërsa në disa të tjera këto shpenzime i tejkaluan investimet kapitale.

Milionat për vendime gjyqësore

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga viti 2022 deri në gusht të këtij viti, komunat e Kosovës kanë paguar mbi 236 milionë euro për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Sipas tij, shuma më e madhe lidhet me kontratat kolektive në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë.

“Vetëm nga janari deri në gusht të këtij viti janë paguar 73.5 milionë euro. Prej tyre, mbi 40 milionë janë marrë nga investimet kapitale të komunave, mbi 24 milionë nga mallrat dhe shërbimet, 5.6 milionë nga subvencionet dhe transferet, si dhe 3 milionë nga faturat komunale”, shpjegon Ibrahimi.

Ai thotë se kontratat janë nënshkruar pa konsultim paraprak me komunat, pa vlerësim të ndikimit buxhetor dhe pa koordinim, duke bërë që barra financiare të bjerë padrejtësisht mbi komuna.

“Ata që i kanë nënshkruar kontratat, duhet të marrin përgjegjësi, si institucionale, ashtu edhe financiare. Komunat nuk i kanë nënshkruar, as ne si Asociacion. Qeveria i ka nënshkruar, pa marrë parasysh se kur dhe kush. Prandaj, përgjegjësia duhet të bjerë mbi nivelin qendror, jo atë lokal”, thotë Ibrahimi.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë në detyrë të Financave, e cila ndan buxhetin, për të pyetur nëse në buxhetin e vitit të ardhshëm do të krijohet një linjë e veçantë për këto shpenzime, ose nëse do të rimbursohen mjetet që komunat kanë shpenzuar deri më tani për kompensimet e punonjësve, por nuk mori asnjë përgjigje.

Ibrahimi thotë se kjo situatë ka penguar zbatimin e shumë planeve zhvillimore në komunat e Kosovës, duke i kufizuar ato në projekte kapitale që do të përmirësonin jetën e qytetarëve.

Ngjashëm theksohet edhe në raportin e Institutit GAP.

“Komunat mbeten me mjete të pamjaftueshme për projekte zhvillimore, si ndërtimi i infrastrukturës, renovimi i shkollave, përmirësimi i shërbimeve komunale, investimet në zhvillim ekonomik lokal dhe përmbushja e nevojave të qytetarëve, që do të ndikonin në përmirësimin e cilësisë së jetës”, thekson raporti.

Aty, po ashtu, thuhet se dy kontratat kolektive në arsim, më 2017 dhe 2021, janë nënshkruar në prag të zgjedhjeve, pa vlerësim të ndikimit financiar nga institucionet.

Ndaj, sipas GAP-it, palët kanë llogaritur më shumë në përfitime elektorale sesa në zgjidhje të qëndrueshme.

Cila është zgjidhja?

Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, çështja e shpenzimeve për kontratat kolektive mund të zgjidhet lehtë nëse Qeveria dhe Kuvendi parashohin një linjë të veçantë buxhetore në nivel qendror.

“Me kaq mund të përfundojë kjo problematikë”, thotë Ibrahimi.

Edhe raporti i GAP-it thekson se niveli qendror mban përgjegjësinë për obligimet përmbarimore, pasi është sponsorizues i ligjeve dhe kontratave.

“Qeveria duhet të marrë përsipër ekzekutimin e pagesave që dalin nga vendimet gjyqësore për çështjen në fjalë”, thuhet në raport.

Komunat këtë vit kanë pasur në dispozicion rreth 843 milionë euro, ndërsa sipas Qarkores buxhetore për vitin 2026, buxheti i dedikuar për to do të jetë 867 milionë euro.

Në gusht të vitit 2022, 26 komuna paditën Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për kthimin e mjeteve financiare.

Paditë u bënë në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe u bartën në Gjykatën Komerciale, por deri tani nuk është marrë ndonjë vendim.

E kontaktuar nga REL-i, Gjykata nuk ka dha informacione nëse i ka shqyrtuar këto padi./ REL  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos