Gjithë shqiptaria po angazhohet në pritje të çlirimtarëve nga Haga. Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së dhe ajo e invalidëve të luftës mbështesin marshin që organizohet nga “Liria ka Emër”, për të marrë pjesë në pritjen dinjitoze të kthimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Ju bëjmë thirrje pa dallim që të marrin pjesë në këtë marsh, në këtë protestë, kundërshtim të të gjitha atyre shpifjeve që po i bëhen luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëkohësisht të jemi të përgatitur dhe të presim verdiktin përfundimtar që shpresojmë gjykata do të ndajë mendimin nga prokuroria, nga absurdi i kësaj prokurorie për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Xhavit Jashari, shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.
“Ne do t’i bëjmë thirrje që me datën 12 shtator në ora 14:00 në sheshin “Skënderbeu”, të gjithë shqiptarët nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga Presheva e Medvegja, të gjitha hapësirave shqiptare dhe gjithë mërgimtarët tonë të cilët e ndiejnë veten që duhet të vijnë të protestojnë, i ftoj që të vijnë në Prishtinë dhe të protestojnë në mënyrë të dinjitetshme për pritjen e verditkit finale më 16 shtator”, tha Fadil Shurdhaj nga Shoqata e Invalidëve të Luftës.
Jashari pati edhe një porosi për ata që tregojnë mungesë respekti për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-krerët e saj që po mbahen në Hagë prej thuajse 6 vitesh.
“Dua t’ju dërgoj porosi edhe atyre që e fyejnë dhe e shajnë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që përmes saj shajnë krerët atje, që përmes saj shajnë këtë luftë dhe duke i fyer e sharë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Hagë dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, fyejnë e shajnë shtetësinë e Kosovës”, tha Xhavit Jashari, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.
Ai kërkoi pjesëmarrje masive dhe shqiptaria, përfshirë institucione dhe parti politike, ndërsa përmendi se Gjykata Speciale është politike dhe mund të marrë vendime që shkojnë përtej drejtësisë. Verdikti i Hagës pritet që të shpallet më 16 shtator për ish-krerët e UÇK-së, të cilët të gjithë janë vetëshpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe kundër njerëzimit. (A2 Televizion)