Nga miti të kërcënimi, narrativa nacionaliste serbe, e gjallë në zemër të Kosovës

Nga A2 CNN
1 Korrik 2025, 20:12 | Aktualitet

Në Graçanicë, Vidovdani filloi me një ceremoni fetare të qetë, ku besimtarët serbë mblidhen për të kujtuar të kaluarën. 

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte marrë vendim që flamujt serb të mos vendosen në rrugët e kësaj komune të vogël për të shënuar këtë ditë pasi nuk është festë në kalendarin e festave zyrtare.

Ky vendim, që është ankimuar, nuk u respektua dhe flamujt u panë në shtyllat e Graçanicës.

Në këtë komunë policia arrestoi edhe një serb me inicialet V.P. si organizator të një grupi të Beogradit që mbante bluzë “Serbia e bashkuar”

“Beteja e Kosovës u bë shpejt subjekt i mitologjisë, si shumë mite historike, e përshtatur për të pasqyruar rrethanat historike të mëvonshme. Për të paktën dy vende, është pjesërisht histori dhe pjesërisht mit, me rrënjë të shumëfishta fetare dhe një lidhje të çuditshme kalendarike me një numër ngjarjesh historike. Është ngjarja e përsosur për t’u ngarkuar me kuptime të fshehta”, tha historiani Stephan Keck.

Në Gazimestan, atmosfera ndryshon. Nga fjalimet e klerikëve e deri te pjesëmarrësit, thirrjet që dominojnë nuk janë vetëm përkujtimore.

Në këtë tubim, u dëgjuan thirrje të hapura urrejtjeje ndaj shqiptarëve. Mesazhet nacionaliste nuk mbeten vetëm në flamuj dhe simbole, por u shndërruan në kërcënime direkte për bashkëjetesën ndëretnike.

“Politika kishtare serbe me betimin e saj në Prishtinë të monumenti i betejës të vitit 1389 kërkojnë që Shën Vidi t’ua fal krimet që i bën ndaj shqiptarëve fqinjë por edhe për t’i bekuar që të vazhdojnë me gjenocidin dhe etnocidin në fillim të shekullit XXI”, tregon Zymer Neziri.

Këto mesazhe, të përsëritura vit pas viti, e kthejnë Gazimestanin në një pikë tensioni dhe provokimi të hapur ndaj shumicës shqiptare.

“Një politikë për të mburrur para brezave me fitoren e pa qenë të vitit 1389 për të rrëmbyer fitoren e tjetrit dhe për të mohuar koalicionin me fqinjët dhe për kthyer humbjen në fitore”, deklaron albanologu Neziri.

Policia e Kosovës monitoroi manifestimin, duke raportuar se tubimi është mbajtur nën masa të shtuara sigurie për të shmangur incidentet.

17 persona u ndaluan të cilët provokuan masën, kryen nxitje të urrejtjes dhe posedonin veshje me përmbajtje provokuese e nxitëse, në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Analistët e çështjeve të sigurisë e konsiderojnë këtë manifestim si burim të vazhdueshëm tensioni dhe si shfaqje të hapur të politikave destabilizuese nga Serbia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos