“Nuk u cenua kredibiliteti i UÇK” Vuçiç pas vendimit të Hagës: Nuk kemi arsye të jemi të lumtur, as të trishtuar

Nga A2 CNN
16 Shtator 2026, 19:33 | Aktualitet

“Nuk u cenua kredibiliteti i UÇK” Vuçiç pas

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç reagoi pas vendimit të shkallës së Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Në një konferencë për mediat Vuçiç tha se për Serbinë ruajtja e paqes dhe stabilitetit mbetet prioriteti kryesor, ndërsa bëri thirrje për dialog dhe mirëkuptim.

“Për Serbinë është me rëndësi vendimtare ruajtja e paqes dhe stabilitetit. Për vendin tonë nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo”, deklaroi Vuçiç.

Ai kritikoi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se vendimi nuk përfshin disa akuza dhe krime të pretenduara ndaj serbëve, ndërsa vuri në dukje se katër ish-drejtuesit e UÇK-së u dënuan gjithsej me 81 vjet burgim, por vendimi nuk përfshin krime kundër njerëzimit.

“E gjithë kjo nuk u mor parasysh, dhe siç thashë, këto gjashtë akuza, të cilat kanë të bëjnë me krimet më të rënda kundër njerëzimit, nuk u shpallën fajtorë. Nuk kemi arsye të jemi të lumtur ose të trishtuar. Trupi gjykues nuk ka konstatuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistimin e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile. Pse është e rëndësishme kjo? Sepse, sipas meje, nuk kanë dashur që ta cenojnë kredibilitetin e UÇK-së”, tha Vuçiç.

Ai pretendoi se aktakuza kishte gjithsej 10 pika, ndërsa gjashtë prej tyre lidhen me krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekjen, burgosjen, trajtimin çnjerëzor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë.

Sipas Vuçiçit, për këto gjashtë pika nuk është konstatuar fajësia, ndërsa përgjegjësia penale individuale është konstatuar për katër pika që lidhen me krime lufte. Ai tha se bëhet fjala për privim të paligjshëm të lirisë, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

“Për privim të paligjshëm të lirisë është konstatuar përgjegjësi për të paktën 385 persona, për trajtim mizor për të paktën 49 persona, për torturë për të paktën 303 persona dhe për vrasje për të paktën 96 persona”, deklaroi presidenti serb.

Vuçiç gjithashtu tha se në aktgjykim nuk janë përfshirë, sipas tij, krimet e kryera ndaj serbëve pas 20 qershorit 1999. Ai përmendi edhe pretendimet për trafikim organesh dhe të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, duke thënë se këto çështje nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës për shkak të, siç pretendoi ai, pamundësisë për sigurimin e provave.

“UÇK-ja nuk është shpallur si organizatë kriminale në vetvete, por përgjegjësia është individualizuar te persona të caktuar”, tha më tej Vuçiç.

Gjatë fjalës së tij presidenti serb shfaqi edhe fotografi të viktimave të luftës dhe akuzoi se për disa prej krimeve të kryera ndaj serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve joshqiptare nuk është vendosur përgjegjësi penale ndaj udhëheqësve të UÇK-së.

Në fund, Vuçiç u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos reagojnë me eufori ndaj aktgjykimit, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë dhe se procesi gjyqësor mund të vazhdojë në instanca të tjera.

“Ka edhe një instancë tjetër. Edhe nëse aktgjykimi konfirmohet, ekziston edhe instanca e tretë – Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila mund ta kthejë çështjen në procedurë të shkallës së parë. Prandaj, nuk duhet ta presim këtë aktgjykim me eufori, por duhet të jemi të durueshëm”, përfundoi Vuçiç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos