Vendimin e qeverisë së Kosovës për të shtuar kapacitetet mbrojtëse, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, e cilëson një lajm të mirë.
Në një prononcim për A2 CNN, ai tha se në këtë mënyrë institucionet e Kosovës shndrrohen në garantues të sigurisë së vendit.
Rrustem Berisha, ish-ministër i Mbrojtjes, shprehet: “Sfidat e sigurisë jo vetëm tek ne, por në përgjithësi sfidat globale janë në rritje e sipër dhe janë të paparashikueshme. Përpos kësaj ka edhe propagandë strategjike që bëhet prej disa prej fqinjëve tanë, por e mira e krejt kësaj është që shteti ynë po forcohet, institucionet tona të sigurisë çdo ditë e më shumë po forcohen edhe janë garantues të sigurisë në Kosovë, po ashtu kemi edhe aleatët tanë, prania ndërkombëtare ka rolin e vet”.
Por, Berisha theksoi se askush nuk duhet të frikësohet nga kërcënimet që bën Serbia: “Ne duhet të punojmë shumë, por nuk duhet të frikësohemi, ose të biem pre e propagandave strategjike të shteteve fqinje që i bëjnë ndaj nesh”.
Berisha ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes në qeverisjen e Ramush Haradinajt. (A2 Televizion)