Kosova është duke pritur ndërkombëtarët që të japin dritën e gjelbër për të hapur urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Kjo u konfirmua edhe nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elebrt Krasniqi, që tha se nga ana e ndërkombëtarëve ka shqetësime për tensione.
Pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, Krasniqi tha se institucionet e sigurisë do të mund të menaxhonin çfarëdo përpjekje për ngritje tensionesh duke shtuar se tashmë janë gati për aktin e fundit.
“Ne po presim edhe partnerët tanë që të jenë gati për hapjen e kësaj ure për shkak se ata kanë paraqitur se siguria është një nga hezitimet e pikëpamjeve të tyre për hapjen e urës, është më mitë që ata të deklarohen, mirëpo në si institucione të Republikës së Kosovës jemi gati, besojmë plotësisht se nuk ka asnjë arsye që kjo urë të mos hapet”, tha Elbert Krasniqi, ministër i administrimit dhe pushtetit lokal.
Krasniqi përmendi edhe mbylljen e komunave paralele serbe në të gjithë Kosovën me atë të Skenderajt që i bashkohet strukturave paralele të Prizrenit, Pejës, Suharekës, Istogut, Klinës, Rahovecit, Dragashit, Shtërpces, Mitrovicës, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
I pyetur nga A2 CNN nëse do të mbyllen edhe strukturat paralele që janë në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit, Krasniqi tha se nuk ka vend për institucionet antiligjore në Kosovë.
“Unë besoj që përgjigjja që nuk ka vend për asnjë institucion paralel në Republikën e Kosovës është përgjigjja adekuate për çështjen e institucioneve paralele. Ato janë institucione të Serbisë që funksionojnë jashtë juridiksionit ligjor dhe kushtetues kështu që nuk po lëshohemi në analizë të asnjë sektori të veçantë”, tha Krasniqi.
Pas vizitës së ndihmës sekretarit James O’Brien ku u përsërit kërkesa amerikane për dërgimin e draft statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatë Kushtetuese, Krasniqi -përkundër instituimit të gazetarëve- tha se nuk ka asgjë të re.
“Kjo është një çështje që katër vite më paraqitet si ministër i linjës dhe unë nuk kam një përgjigje të re për çështjen që ka të bëjë me Asociacionin dhe nuk mund të shtoj në këtë pikëpamje”, u shpreh ministri. (A2 Televizion)