Autoritetet në Serbi po përpiqen të shfajësohen, pas presionit të madh ndërkombëtar për ndalimin e shtetasve nga Kosova në pikat kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë. Ministria e Brendshme ka publikuar një deklaratë duke pretenduar se akuzat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës janë të pabaza.
Pavarësisht se thotë se policia nuk ka ndaluar askënd apo të ketë penguar hyrjen dhe kalimin e ndonjë qytetari nga Kosova, ende nuk është lejuar lëvizja e lirë e mbi 300 personave në kufirin me Kroacinë, apo e dhjetëra të tjerë në kufirin me Hungarinë. “Po forcohet kontrolli i të gjithë pasagjerëve në pikat kufitare dhe po kryhen kontrolle të sigurisë, e gjitha kjo me qëllim të sigurisë më të madhe të qytetarëve, gjë që mund të shkaktojë një qëndrim më të gjatë në pikat kufitare”, lexohet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
Megjithatë, ata që po ndalohen dhe nuk lejohen të qarkullojnë janë vetëm qytetarë me dokumente identifikimi të Kosovës, gjithashtu automjete me targa të Kosovës. (A2 Televizion)