“Gjykata Speciale të zhbëhet”, Kurti: Betejën e kemi në Apel, Hmaza: UÇK para PDK dhe Vetëvendosje

Nga Xhevahir Qardaku
5 Tetor 2026, 18:06 | Aktualitet

Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë projektligjin për ndryshim-plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Që kufizimet e propozuara nga PDK të tilla si: dënimi maksimal 15 vite burg, vuajtja e dënimit në Kosovë dhe falja presidenciale, të hyjnë në fuqi, duhet të kalohen nen për nen në komisionin përkatës dhe më pas të votohen në lexim të dytë. Projektligji në fjalë shkaktoi jo pak debat në sallë.

Kryeministri Albin Kurti tha: “Nuk mjafton vetëm të reagojmë ndaj një padrejtësie, por duhet të sigurohemi që, duke tentuar ta korrigjojmë një gabim, të mos e prodhojmë një tjetër. Adresa e fitores është apeli, aty dilet përfitues. Për fitore nevojitet organizim dhe strategji. Organizimi duhet të jetë shtetëror dhe kombëtar. Organizimi nuk bën të jetë partiak dhe jo qeveritar. Nuk ndihmojnë veprimet dhe gjestet pa strategji dhe para strategjisë.”

Kryetari i PDK Bedri Hamza u shpreh: “Ligji nuk është për PDK-në, nuk është i PDK-së…po që se ka nevojë diçka, shtohet plotësohet mund ta bëjmë gjatë procedurave në komisionet funksionale. Është përgjegjësi ekskluzive e neve si deputetë me aprovu ligjin. Për mua, nuk është me rëndësi çka thonë as institucionet, as adresa, të tjera jashtë këtij Kuvendi. Pajtohem që nuk është veç ligji i mjaftueshëm. Jam shumë në rregull që beteja e parë përbashkët e jona si shtet duhet me u bo në apel. Rasti duhet me u fitu në apel mbi bazën e fakteve provave dhe një trajtim serioz institucional shtetëror i kësaj çështje.”

Deputeti i Aleancës Ramush Haradinaj shprehet: “Ne jemi ofenduar me një vendim dënues për udhëheqësit e UÇK-së, është ofendim për popullin e Kosovës, për gjakun tonë, për këtë parlament. Edhe për drejtësinë. Edhe nuk është në emrin tim. Nuk është në emrin e popullit të Kosovës. Pra, nderi i shqiptarëve, nderi i yti, nderi i këtij Kuvendi, pa marrë parasysh si do të na vlerësojnë të tjerët, duke qenë se jemi ata që e dimë më së miri të vërtetën tonë. Do të ishte ligj për anulimin e kësaj gjykate. Kjo do të ishte përgjigjja, kjo do të ishte përgjigjja e drejtë për fyerjen që na është bërë me vendim dënues për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”

LDK nuk mori pjesë në votimin e projektligjit duke shprehur shqetësime të thella për krisje me bashkësinë ndërkombëtare dhe kërkoi konsultim të ngushtë me SHBA-të dhe BE-në.

Deputetja e LDK  Jehona Lushaku-Sadriu tha: “LDK-ja paralajmëron me kohë për rreziqet e mundshme juridike, politike e ndërkombëtare që ajo vë. U bëjmë thirrje propozuesve dhe deputetëve t’i marrin seriozisht këto rreziqe dhe të veprojnë në interes të drejtësisë, të Republikës së Kosovës.”

Në kuvend zbriti dhe çështja për presidentin, me Kurtin që paralajmëroi takim me Hamzën.

 “Për të pasur një strategji të qëndrueshme për situatën e padrejtë në Hagë, duhet të kemi një shtet fort të qëndrueshëm dhe tërësisht funksional në Kosovë. Duhet ligj për gjykatën në Hagë, por duhet edhe president për Kosovën. Njëra pa tjetrën është shumë e dëmshme. Nuk mund të pretendojmë se po e mbrojmë interesin në Hagë, ndërkohë që lejojmë vakum dhe pasiguri institucionale në Kosovë”, tha Kurti.

Gjatë punimeve në kuvend munguan ministrja e drejtësisë, Donika Gërvalla, si dhe disa deputetë të tjerë. Nisma nga PDK erdhi pasi trupi gjykues në Dhomat e Specializuara, më 16 shtator, shqiptoi dënim me 81 vite burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos