Krahas liderëve të Kosovës, homazhe në Banjskë janë zhvilluar edhe nga një grup qytetarësh serbë. Në pamjet e mbërritura në A2 CNN nga gazetari Ideal Kosova, shihen qytetarët serbë që ndezin qirinj dhe vendosin lule, në pjesën e sipërme të Banjskës në nder të tre terroristëve të vrarë.
Ata u vranë gjatë operacionit policor nga njësitë elitare të Kosovës në përgjigje të sulmit, një vit më parë, shkruan A2.
Në operacionin policor mbeti i vrarë edhe punonjësi i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Në ndër të tij qeveria e Kosovës i vuri emrin rrugës rajonale Ballaban-Banjskë, e cila u përurua sot nga krerët e shtetit kosovar.
Ndërkohë nga grupi terrorist prej 30 personash që udhëhiqej nga Milan Radojçiç mbetën të vrarë Stefan Nedeljkoviç, Bojan Mijailoviç dhe Igor Milenkoviç.
Dragan Nedeljkoviç, babai i Stefanit që ishte krahu i djathtë i Radoiçiç pasi ndezi qiri për të birin tha për mediat serbe se kishte kaluar një vit i dhimbshëm për të dhe familjen e tij, duke shtuar se jeta duhet të vazhdojë.
“Duhet të durojmë dhe duhet të jemi të fortë. Njerëzit duan të vijnë këtu, jo vetëm sot, vijnë kur kanë kohë të ndezin një qiri. E shihni se është pak e paarritshme, por pas një kohe kjo do të duhet të rregullohet. Kam paguar për një kryq që duhet ta vendosim këtu. Nuk e lejon situata aktuale, por kur të vijë koha do të vendosim një shënues dhe ai do të qëndrojë këtu”, tha Dragan Nedeljkoviç. (A2 Televizion)