Të vendosur për ta shtrirë ligjin edhe në veriun problematik, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur gjatë muajve të fundit një sërë institucionesh paralele, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.
E fundit prej tyre ishte Administrata Tatimore në Mitrovicën e Veriut e cila u mbyll më 8 janar. Megjithatë Lista Serbe e cila u takua me punonjësit e kësaj strukture, bëri të ditur të mërkurës se pavarësisht mbylljes së ambienteve shërbimet nuk do të ndaleshin.
Dhe në fakt, puna e shumë prej institucioneve të mbyllura edhe më herët nuk është ndalur. Radio Evropa e Lirë përmend raste të qytetarëve që dëshmojnë se punën po e kryejnë nga shtëpia, por edhe nga qytetet kufitare të Serbisë.
Njëri prej tyre, që identifikohet si Milloshi nga Evropa e Lirë, thotë për këtë media se shkon për të punuar një ose dy herë në javë jashtë kufirit, ku Beogradi zyrtar ka zhvendosur institucionet e tij, pas mbylljes. Gjatë tri ose katër ditëve të tjera, Misholli punon nga shtëpia në Kosovë.
Por ka edhe nga ata që nuk shkojnë në punë pas mbylljes së institucionit të tyre nga autoritetet kosovare. I tillë është rasti i Petrit, që siç pohon Radio Evropa e Lirë shkon në Rashkë të Serbisë vetëm për të marrë rrogën.
Kosova ka nisur mbylljen e institucioneve serbe që në janar të vitit 2024, duke u vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, në jug të lumit Ibër.
Më vonë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri. (A2 Televizion)