
Serbia po tenton të ndërhyjë edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë. Millosh Vuçeviq, kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe këshilltar i Presidentit të Serbisë për çështjet rajonale e pozicionoi Listën Serbe si përfaqësuesen e vetme legjitime të serbëve në Kosovë dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë të votojnë, transmeton KosovaPress.
Komisariati për Refugjatë dhe Migracionet i Serbisë i ka ftuar personat e zhvendosur nga Kosova në Serbi që të votojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, madje sërish i janë referuar vendit “Kosova e Metohija”.
Komisariati për Refugjatë dhe Migracionit i Serbisë u rikujton të interesuarve se të drejtën e tyre mund ta shfrytëzojnë nëse posedojnë letërnjoftim të vlefshëm të lëshuar nga institucionet në Prishtinë.
Se Serbia ka kaluar nga ndikimi i tërthortë në një ndërhyrje të hapur politike në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë vlerësoi Gurakuç Kuçi nga Instituti “Octopus”.
“Serbia publikisht ka nisur një fushatë të drejtpërdrejtë ndikimi në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë. Ky operacion hibrid politik i centralizuar u artikulua në publik nga Millosh Vuçeviq, kryetar i SNS-së dhe këshilltar i Presidentit të Serbisë për çështjet rajonale, i cili e pozicionoi Listën Serbe si përfaqësuesen e vetme legjitime të serbëve në Kosovë dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë të votojnë”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti e akuzuan Serbinë se po ndërhyn drejtpërdrejt në zgjedhjet lokale.
Serbia u akuzua edhe për ndërhyrje në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit, dhe misioni vëzhgues i BE-së tha asokohe se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë. /KosovaPress/ (A2 Televizion)