Serbia tenton të “mbulojë” aktet terroriste. “Policia e Kosovës sulmoi Ibër-Lepencin, Bunjaku dëm kolateral”

Nga Rosalba Bejdo
1 Maj 2025, 20:16 | Aktualitet

Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit në Serbi, BIA para pak ditësh publikoi një deklaratë në të cilën akuzonte Policinë e Kosovës për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc, që ndodhi më 29 nëntor 2024.

Në të njëjtën linjë, këtë të enjte gazetari serb Branislav Krastic deklaroi se vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është “dëm kolateral” dhe jo vrasje e drejtpërdrejtë dhe po ashtu sulmi në Banjska është një lloj shfaqje.

Eksperti për çështjet e sigurisë Gurakuç Kuçi, nga instituti Octopus, pohon se këto dy deklarata të afërta në kohë dhe përmbajtje, tregojnë një përpjekje për të krijuar një debat të ri publik për rikualifikimin e fakteve.

Sipas tij synimi është të devijohet vëmendja nga karakteri real i sulmit terrorist në Banjskë, e po ashtu i shpërthimit në Ibër-Lepenc.

Deklarata të tilla ngrenë dyshime për një narrativë të koordinuar propagandistike që synon ta paraqesë terrorizmin e organizuar kundër shtetit të Kosovës si incidente të paqëllimta apo të interpretuara gabimisht“, pohon eksperti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos