Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dënuar ashpër arrestimet e Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt nga Dhomat e Specializuara.
Veteranët e quajtën “spektaklin e radhës” për arsye se arrestimet, sipas tyre, po bëhen pa asnjë provë vetëm duke iu konfiskuar telefonat me shpresën se do të gjejnë aty faktet.
“Këtyre nuk iu intereson fare çështja e sjelljes së drejtësisë apo ndjekja e krimeve të luftës por këtyre iu intereson që të stërzgjatin procedurat gjyqësore sepse atje kanë paga të majme dhe përderisa kanë paga të majme natyrisht që janë të interesuar që të stërzgjatin edhe proceset gjyqësore ndaj pjesëtarëve të UÇK-së”, tha Faton Klinaku, kryetar në detyrë i OVL UÇK.
Tre të arrestuarit e së enjtes, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dyshohen për pengim të drejtësisë, mirëpo veteranët e UÇK-së akuzojnë pikërisht ZPS-në se po kërcënon e shantazhon dëshmitarët.
“Përderisa këta kanë shantazhuar e kërcënuar dëshmitarët që të flasin me ta ashtu siç dëshirojnë ata natyrisht që pengimin e drejtësisë e bën vet ZPS sepse secili që dëshmon atje normalisht që duhet ta thotë të vërtetën, por përveç që i kanë shantazhuar e kërcënuar dëshmitarët e vetë ne e dimë që edhe aktakuzat e ngritura i kanë si rezultat i dosjeve të krijuara nga Serbia pushtuese dhe bashkëpunëtorët e saj”, tha Klinaku.
Veteranët e UÇK-së kanë kritika edhe shtetin e Kosovës që nuk po ndërmerr asgjë ndaj Speciales. Ata kërkojnë një mekanzim që do të kontrollonte punën e saj.
“Mundet qoftë të autorizojë një organizatë joqeveritare apo çkado që të jetë, e huaj ose ndonjë këshill për mbrojtje të të drejtave të njeriut, qoftë për të krijuar një komision që të shkojë dhe t’i vëzhgojë seancat gjyqësore atje sepse atje vazhdimisht ka shkelje që e bëjnë edhe vetë gjykatësit”, tha Kryetari në detyrë i OVL UÇK.
Dhomat e Specializuara deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë për dy ish-drejtuesit e veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Gjithashtu, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte. (A2 Televizion)