Trupi gjykues në Gjykatën Speciale konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë kryerjen e krimeve të luftës të trajtimit mizor dhe torturës ndaj 303 personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë.
Kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, në parashtrimin para vendimit për ish-drejtuesit e UÇK, tha se 348 persona u trajtuan mizorisht dhe 303 u torturuan nga anëtarët e UÇK.
“Trupi gjykues konstatoi se midis prillit 1998 dhe qershorit 1999, 348 persona u trajtuan mizorisht dhe nga këta 303 persona u torturuan. Anëtarë të UÇK krijuan kushte çnjerëzore ndalimi, i mbajtën në kushte çnjerëzore ndalimi, në ndërtesa që kishin qenë shkolla, stalla bagëtish dhe bodrume, dhoma tepër të vogla, s’kishte shtroja dhe mbuloja. Shumë të ndaluar u detyruan të flinin në dysheme betoni. Në disa qendra të ndaluarit kaluan ditë pa ushqim. Në vende të ndryshme ndalimi anëtarë të UCK i rrihnin brutalisht dhe vazhdimisht të ndaluarit, duke përdorur qytat e pushkëve, shkopinj, bishta sëpatash. Të ndaluarit u varën kokëposhtë nga këmbët dhe u rrahën”.
(A2 Televizion)