Serbia nuk fshihet më, po kërkon që pasuritë nëntokësore t’i përdorë për avantazhe gjeopolitike. Kryeministri Millosh Vuçeviç e konfirmoi vetë një gjë të tillë, duke theksuar se i interesojnë vetëm përparësitë politike dhe ekonomike.
Duke folur për nxjerrjen e mineraleve si litiumi, që përdoret në bateri të makinave dhe pajisjeve të tjera elektronike të karikueshme, ai tha se shqetësohet për mbrojtjen e mjedisit dhe jo për përfitimet e kompanive private, pasi për ndërtimin e minierave ka shumë protesta në Serbi.
“Neve na intereson vetëm çfarë merr Serbia dhe çfarë përfitimesh do të kenë qytetarët, për të mbrojtur qytetarët, përrenjtë dhe lumenjtë tanë. Jadariti ose litiumi përfaqësojnë një mundësi gjeopolitike për Serbinë. Nëse ka nevojë të madhe gjeopolitike për të, le ta përdorim edhe në çështjen e Kosovës dhe ruajtjen e Republikës Srpska”, tha Millosh Vuçeviç, kryeministër i Serbisë.
Pikërisht për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit me Serbinë për këtë mineral të çmuar, në Beograd do të zbarkojë të premten, kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Ai do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç, ndërsa më pas bashkë me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian për Energji, Marosh Shefçoviç, do të marrë pjesë në samitin për lëndët e para strategjike në Beograd.
Reuters raporton se do të firmoset dhe një Memorandum Mirëkuptimi midis BE-së dhe Serbisë për një partneritet strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e prodhimit të baterive dhe automjetet elektrike. Një zëdhënës i qeverisë në Berlin konfirmoi për agjencinë ndërkombëtare se “sfondi është projekti i qëndrueshëm i minierave të litiumit në Serbi”.
Vizita vjen pasi qeveria serbe rivendosi licencën për Rio Tinto për të zhvilluar minierën më të madhe të litiumit në Europë, që konsiderohet dhe një thesar tepër I çmuar në këto kohë kur lulëzon industria e automjeteve elektrike. Nëse shtyhet para, projekt 2.4 miliardë dollarë mund ta shndërrojë Serbinë në një vend tërheqës duke mbuluar 90 për qind të nevojave aktuale të Europës për litium. Por ka pasur kundërshtim të ashpër të projektit në fjalë nga partitë e opozitës dhe aktivistët për mbrojtjen e mjedisit. (A2 Televizion)