Specialja në Hagë sot shpall aktgjykimin kundër Pjetër Shalës

Nga A2 CNN
16 Korrik 2024, 08:34 | Aktualitet

Specialja në Hagë sot shpall aktgjykimin kundër Pjetër

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të shpallin aktgjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte.

Procesi gjyqësor kundër Shalës nisi më 21 shkurt 2023. Shala është deklaruar i pafajshëm për katër pikat e aktakuzës - ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Aktakuza pretendon se Pjetër Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të UÇK-së në mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 “morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë”.

Shala ishte arrestuar në mars 2021 në Belgjikë dhe ishte transferuar në paraburgim në Hagë, në prill të atij viti.

Deri më tani nga krerët UÇK, Haga ka dënuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa me 22 vite burg. Të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos