Lufta për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk do të ndalet. Është zotimi që bëri presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt, e organizuar për 25 vjetorin e qendrës së Kosovës për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës.
"Keni arritur që ta dëshmoni çdo kund në botë që ata që menduan që mund ta çnderojnë Kosovën, në fakt asnjëherë nuk kanë arritur dhe nuk do të arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë sepse ju jeni heroinat, ju jeni krenaria dhe ju jeni vet nderi i Kosovës... Dua t’ju siguroj që mbështetja jonë për ju nuk do të ndalet, do të vazhdojë dhe ne gra e burra të Kosovës që do të luftojmë për këtë kauzë do të jemi më shumë e jo më pak çdo vit që shkon të rritet dhe do të vazhdojë”, tha Osmani, transmeton A2.
Kryeministri Albin Kurti foli për rëndësinë e dokumentimit të këtyre krimeve të luftës, duke thënë se përherë të parë në Kosovë është miratuar edhe strategjia për drejtësi tranzicionale.
“Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re. Andaj krahas mbështetjes së përhershme dhe të thellë e kemi mirënjohjen për to. Si shtet e shoqëri ne po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën, me përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme. Me këtë qëllim kemi miratuar për herë të parë pas përfundimit të luftës strategjinë për drejtësi tranzicionale, kemi filluar procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, u shpreh Kurti, shkruan A2.
Ndërsa laureati i Çmimit Nobel për Paqe, doktor Denis Mukwege, tha se viktimat e dhunës seksuale nuk duhet të përjashtohen nga shoqëria, por duhet të mbështeten.
“Shumë viktima mbeten të traumatizuara, të lëna mënjanë dhe të përjashtuara nga shoqëria. Gjë që tregon ndikimin afatgjatë të krimeve seksuale të cilat mbeten një trashëgimi e dhimbshme e luftës në të gjitha shoqëritë. Ajo për çka vendosa të kthehem në Kosovë këtu është para se gjithash të shpreh solidaritetin tim dhe ndjeshmërinë time për viktimat e dhunës seksuale dhe të mbijetuarit e luftës... Mos pranimi dhe përjashtimi që ri-viktimizon dhe ri-traumatizon të mbijetuarit çdo ditë duhet të ndalet”, tha Mukwege, raporton A2.
Numri i saktë i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk dihet, por përgjatë viteve të pas luftës organizata të ndryshme vendëse e ndërkombëtare kanë thënë se mund të arrijë deri në 20 mijë. (A2 Televizion)