Takimi i grupeve të punës, Serbia vijon të sabotojë përpjekjet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Nga A2 CNN
4 Korrik 2024, 20:35 | Aktualitet

Kosova akuzon Serbinë se është duke sabotuar deklaratën për personat e zhdukur e dakorduar në Bruksel pasi nuk është duke u angazhuar sipas zotimit për të zbardhur fatin edhe të mbi 1600 të zhdukurve nga lufta e fundit.

Krahas takimeve të nivelit politik, të martën më 2 korrik është zhvilluar edhe takimi i dytë për këtë vit i grupit punues për persona të zhdukur mes Kosovës dhe Serbisë, një mekanizëm që funksionon nga viti 2004 e që parashihet edhe me marrëveshjen bazike dhe atë të Ohrit. 

“Kërkesat e adresuara nga ana jonë përveç në kuptimin e argumentimit, flasin për kërkesa shumë konkrete, si në rastin e qasjes në arkivat e brigadës 37 apo edhe në arkivat e brigadës 349, brigada të ish-ushtrisë jugosllave apo edhe ne qasjen në lokacion si Batajnica, Petrovo Sello, Peruqac apo loakcione të tjera që nuk ka pasur gërmime, kryesisht në rajonin e Rashkës dhe dhe rajonin e Novi Pazarit”, tha Kushtrim Gara nga komisioni qeveritar për personat e zhdukur.

Kosova kërkon arkivat e Brigadës 37 për shkak të operimit që ka pasur në zonën e Drenicës ku dyshohen se kanë kryer krime ndaj popullsisë civile.

“Fatkeqësisht, këto 25 vite, përpjekja e vazhdueshme e Serbisë për të politizuar procesin, në mënyrë të veçantë duke mos lejuar qasje në arkivat e institucioneve të Serbisë, atëherë po e sfidon në vazhdimësi këtë proces jo vetëm në rastin e luftës në Kosovë por edhe në Bosnje dhe Kroaci”, shtoi Gara.

Pavarësisht sfidave dhe mosbashkëpunimit të palës serbe, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thonë se nuk do t’i ndalin përpjekjet deri në fillimin e gërmimeve në 20 lokacione të dyshuara si varreza masive në territorin e Serbisë.

“Përpjekja jonë e vazhdueshme që të sigurojmë para se gjithash informata nga arkivat e palës serbe pra të institucioneve të Serbisë përgjegjëse për krimet gjenocidiale të kryera në Kosovë apo të caktohen datat për fillimin e gërmimeve në lokacionet tani të shënjuara në territorin e Serbisë apo për vazhdimin e gërmimeve në territorin e Serbisë për të cilat sipas vlerësimeve tona ende ka punë për të bërë pra mbesin si raste, si lokacione, të papërfunduara”, tha Gara.

Që nga përfundimi i luftës, në territorin serb janë gjetur mbi 1 mijë mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë në luftën e viteve 1998-99, ndërsa vetëm në Batajnicë ishin identifikuar mbi 700. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos