Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë në stërvitjen ndërkombëtare “Saber Junction 25” në Gjermani, me ftesë të ushtrisë amerikane, njoftoi të enjten ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
“Saber Junction 25” është stërvitje e gjerë vjetore e ushtrisë amerikane në jug të Gjermanisë, e cila këtë vit filloi më 14 gusht dhe do të zgjasë deri më 21 shtator, sipas platformës mediatike të Departamentit amerikan të Shtetit, DVIDS.
Kjo është stërvitje shumëkombëshe rotacionale, e krijuar për ta vlerësuar gatishmërinë e njësive të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për të kryer operacione të unifikuara tokësore në një mjedis të përbashkët dhe të kombinuar, si dhe për të promovuar ndërveprueshmërinë me kombet aleate dhe partnere pjesëmarrëse, sipas DVIDS.
Maqedonci shkroi në Facebook se, ushtrimi në të cilin po merr pjesë FSK-ja, ka për qëllim sprovimin dhe vlerësimin e gatishmërisë së njësive luftarake të ekipeve luftarake të Brigadës së Këmbësorisë dhe njësive tjera si pjesë e rotacionit për misionin e KFOR-it në Kosovë.
Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me një ekip këmbësorësh dhe një skuadër të materieve të rrezikshme, CBRN, tha ai.
FSK-ja ka marrë pjesë në këtë ushtrim edhe në të kaluarën, ndërsa këtë vit ajo mori pjesë edhe në “Defender Europe 25”.
Kjo vjen disa javë pasi Forca e Sigurisë së Kosovës u furnizua me një numër të papërcaktuar autoblindash të blera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky furnizim ishte dëshmia e radhës e partneritetit “të palëkundur me SHBA-në”, por edhe hap i rëndësishëm për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Ambasada amerikane në Kosovë tha se dorëzimi i këtyre pajisjeve shënon një tjetër hap në angazhimin e përbashkët për forcimin e kapacitetit mbrojtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përforcimin e sigurisë së Kosovës dhe SHBA-së.
Kosova synon të blejë edhe armë të tjera nga SHBA-ja. Vitin e kaluar, Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e 200 kundërajrorëve Javelin, dhe tani është duke bërë pagesën e tyre.
FSK-ja është ende në proces të shndërrimit në ushtri.
Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.
Kosova edhe në të kaluarën ka blerë pajisje ushtarake nga SHBA-ja. Më 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.
Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).
Kosova po ashtu synon që së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë të bëjnë blerje të përbashkëta të armëve amerikane.
Procesi i transformimit të FSK-së në forca të armatosura nisi më 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.
Viteve të fundit, Qeveria ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes dhe këtë vit buxheti për këtë sektor është 207.8 milionë euro./ REL (A2 Televizion)