Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, deklaroi se Gjykata Speciale i dënoi ish-krerët e UÇK-së më shumë sesa i kishte dënuar vetë regjimi i Sllobodan Millosheviçit.
“Rrugëtimi i Kosovës në planin ndërkombëtar do të jetë jashtëzakonisht i vështirë pas këtij vendimi dhe ne do ta shohim shumë shpejt këtë gjë. Kjo do të ketë pasoja pa diskutim për imazhin, do të ketë pasoja dhe për historinë e Kosovës, sepse në fakt lufta nuk përfundon vetëm me ndaljen e armëve, përfundon edhe me narrativa dhe Serbia ka investuar dhe vazhdon të investojë për ta ndryshuar narrativën, për ta ndryshuar historinë. Kjo është një fitore e madhe për serbët, për të cilën po të ishte gjallë Millosheviçi nuk do ta llogariste që do të ishte e mundur. Sepse, mos të harrojmë, regjimi i Millosheviçit i ka dënuar këta burra deri në 15 vjet, Gjykata Speciale, me një raport nga fillimi deri në fund të rrejshëm të Dik Martit, i ka dënuar 25 vjet. Janë dënime më të larta se gjeneralët serbë, të cilët kanë djegur njerëz të gjallë nëpër shtëpitë shqiptare në Kosovë”, tha Ukshini në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.
“Kjo gjykatë është themeluar për t'i dënuar shqiptarët, për ta dënuar luftën e tyre, për të dënuar përpjekjet e tyre… Kjo gjykatë u themelua me një raport të hartuar nga Dik Marti mbi dëshmitë ruse dhe serbe, të cilat sot askush nuk po i përmend”, shtoi Ukshini.
(A2 Televizion)