Ushqimi për ushtarët, në kazerma shkojnë kuzhinierët e studentëve dhe të të burgosurve

Nga Ideal Gola
1 Tetor 2024, 20:32 | Aktualitet

Kuzhinierët që përgatisin ushqimin për studentët e Universitetit të Prishtinës dhe ata për të burgosurit që vuajnë dënimin në Kosovë, gjatë së martës përgatitën ushqim edhe për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Të hënën, më 30 shtator, ka skaduar edhe kontrata për kompaninë që kishte shërbyer ushqimin për ushtarët. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, si dhe sekretari i kësaj ministrie, Gafurr Dugolli, u raportua se kanë negociuar me dy kompani që tenderi t’i kalojë dikujt tjetër dhe se i njëjti të klasifikohet si sekret shtetëror, shkruan A2 CNN.

Megjithatë, kjo nuk është pranuar nga ministri i Mbrotjes, Ejup Maqedonci, i cili ka nxjerrë një vendim që tenderi për ushqimin të mos jetë konfidencial, ndërsa për negocimin e tenderit me dy kompanitë në kohëzgjatje prej 6 muajsh në vlerë 2,1 milionë euro ta përfshijë në një auditim të brendshëm.

E gjithë kjo situatë ka bërë që Ministria e Mbrojtjes të improvizojë shërbimin e ushqimit për ushtarët. Ministria e Mbrojtjes insistoi se të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër dhe se pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme.

“Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinerëve sa më parë të vendosim vetqëndrueshmëri dhe mosvarësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit, si dhe nga operatorët ekonomikë të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kahmotshëm”, thotë Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

Për njohësit e sigurisë, kjo situatë është e papranueshme dhe është dështim i nivelit politik. Drizan Shala u shpreh: “Sa i përket çështjes së kuzhinave dhe ushqimit brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës, tashmë kemi gjendje faktike ku niveli politik ka dështuar plotësisht në ofrimin e kushteve dhe mbarëvajtjen e këtij procesi i cili mund të jetë shumë preferencial, por që ka një impakt drejtpërdrejt në motivimet e FSK-së si të kontribuojmë më tutje në ruajtjen e sigurisë në formatin të cilin ata janë të angazhuar në detyra specifike gjatë ditës së punës”.

Për të sqaruar situatën me ushqimin e ushtarëve, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është ftuar në raportim edhe në Komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë.

Reshat Qalaj, deputet i PDK, theksoi: “Sot vendosëm që ta ftojmë ministrin e Mbrojtjes që t’i sqarojë disa gjëra për ato që sot janë bërë temë nëpër media e portale e që është çështja e ushqimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, çështja e lëshimit në masë të individëve që po dorëhiqen nga FSK”.

Përtej raportimit para deputetëve, për rastin në fjalë kërkohet hetim edhe nga organet e drejtësisë.

“Një neglizhencë e tillë drejtpërdrejt duhet të ketë një hetim nga ana e Prokurorisë së Kosovës se si ka ndodhur që aseti nacional, pra FSK, ushtria e Kosovës, të mbetet pa mbështetje logjistike sa i pëket çështjes së ushqimit”, deklaroi Drizan Shala.

Ministria e Mbrojtjes tha se ushqimi do të shërbehet në këtë formë për një periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos