Vizita në SHBA, liderët me dhjetëra takime, cilat janë kërkesat amerikane

Nga Ideal Gola
30 Shtator 2024, 19:44 | Aktualitet

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, qëndruan për një javë në Shtetet e Bashkuara ku zhvilluan takime në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ndër takime, Presidenca njoftoi edhe për një “diskutim me presidentin Biden” dhe një “bashkëbisedim me Sekretarin Blinken” si dhe një sërë takimesh të tjera me homologë dhe liderë të vendeve të ndryshme si dhe drekën me shefin e diplomacisë evropiane, Borrell.

Ndërsa, Kryeministria njoftoi gjithashtu për shumë takime përfshirë edhe atë me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O’Brien, Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe emisarin e Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak.

“Kishin disa takime të cilat mund të kosndierohen deri diku të larta por jo në sesnin e pritur për shkak se për mua çdo takim i presidentes, eventualisht kryeministrit të Kosovës, nën sekretarin Blinken konisderoj që është takim jo i frytshëm dhe pa ndonjë efekt, ose potencë në zhvillimet lokale dhe rajonale të politikës”, tha Arbnor Sadiku, analist.

“Është shfrytëzuar mundësia që të takojnë shumë shtete e përfaqësues të tyre, qoftë në njohje të reja, e qoftë në aspektin ekonomik, që mund të ketë marrëveshje ekonomike me Kosovën”, tha Fidan Ukaj politolog.

Në një kohë që Kosova gjendet nën kritikën ndërkombëtare për veprime në veri, takimet shihen edhe për sqarim të pozicionit të Prishtinës zyrtare.

Nga ana tjetër, kërkesat për liderët e Kosovës, në syrin e njohësve politikë, lidhen edhe me dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara.

“Kjo qeveri mund të bëjë vetëm një premtim që pas mandatit të zgjedhjeve që do të jenë më 9 shkurt 2025 do të fillojë t'i zbatojë marrëveshjet e Brukselit dhe aneksin e Ohrit dhe do të koordinojë veprimet e saj të brendshme, qoftë në veri ose në jug sepse s'do ta kenë mbrapa koston elektorale që e ka këtë vit”, tha Arbnor Sadiku, analist.

“Procesi dialogues ka hyrë në qorrsokak dhe mungon presioni ndërkombëtar që të shtyjë palët për të zbatuar dakordimet e arritura më herët, mbetet të shihet pas përfundimit të procesit zgjedhor në SHBA, viti 2025 mendoj se do të jetë një dinamikë e re”, tha Fidan Ukaj, politolog.

Pas takimeve në Shtetet e Bashkuara, një zhvillim i rëndësishëm për liderët e Kosovës do të jenë takimet në kuadër të Procesit të Berlinit ku Prishtinës zyrtare po i bëhet presion të heq masën e sigurisë ndaj produkteve serbe të vendosura një vit më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos