
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Prokuroria ishte në dijeni të dhunës dhe kërcënimeve që Arlinda Zekaj kishte përjetuar nga ish-bashkëshorti i saj, para se të vritej.
Gjatë prezantimit të raportit për rastin, Gërvalla tha se Arlinda kishte kërkuar disa herë ndihmë nga institucionet dhe kishte treguar se kishte frikë për jetën e saj.
Sipas saj, dokumentet tregojnë se për rastin ishin njoftuar edhe prokurorët përgjegjës dhe kryeprokurorja.
Ministrja bëri të ditur se kryeprokurorja dhe prokurorja që kishte trajtuar rastin janë suspenduar.
Sipas të dhënave të paraqitura nga Gërvalla, më 10 korrik 2026, Arlinda kishte denoncuar në Policinë e Kosovës dhunën fizike dhe psikologjike nga ish-bashkëshorti.
Ajo kishte treguar edhe për kërcënimet dhe kishte dorëzuar prova për dhunën. Gjithashtu, kishte njoftuar policinë se ish-bashkëshorti kishte armë me leje.
Arlinda kishte edhe dy shqetësime të tjera: nuk mund të kthehej në shtëpinë e saj dhe nuk kishte mundësi të takonte rregullisht djalin e saj 12-vjeçar.
Edhe pse ishte bashkëpronare e shtëpisë, ish-bashkëshorti dhe familjarët e tij nuk e lejonin të hynte në pronën e saj.
Më 7 shtator, ajo kishte kërkuar mbrojtje urgjente nga Gjykata Themelore në Pejë. Po atë ditë, i kishte shkruar gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe të djalit.
Gjykata e kishte pranuar vetëm një pjesë të kërkesës për mbrojtje. Më 9 shtator, Arlinda kishte kundërshtuar vendimin, pasi ai nuk përfshinte edhe kujdesin për djalin e saj. (A2 Televizion)