“Vuçiç është përgjegjës”, Osmani dhe Kurti akuzojnë Serbinë: Shkeli të drejtat e njeriut

Nga Rosalba Bejdo
17 Prill 2024, 19:58 | Aktualitet

Autoritetet në Kosovës fajësuan presidentin Aleksandër Vuçiç, për ndalimin e autobusëve me udhëtarë kosovarë në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë.

Presidentja Vjosa Osmani u bëri thirrje partnerëve të veprojnë shpejt, ndërsa tha se përgjegjës për këtë është vetëm një njeri, Aleksandër Vuçiç.

"Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve kosovarë, një ditë pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës duke mbajtur peng shumë qytetarë në pikëkalime, duke i frikësuar, duke ua konfiskuar dokumentet dhe duke ua mohuar ushqimin", shkroi ajo në rrjetin social X.

Sakaq, kryeministri Albin Kurti e cilësoi si “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut ndalimin e qindra qytetarëve të Kosovës nga autoritetet kufitare në Serbi”.

Po ashtu në rrjetin social X, Kurti tha se qytetarët që u mbajtën të bllokuar në kufijtë e Serbisë me Kroacinë dhe Hungarinë, “janë privuar nga ushqimi dhe ilaçet”.

Një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi në favor të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, Serbia u kundërpërgjigj ndaj civilëve kosovarë. Më shumë se 300 qytetarë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar në mënyrë arbitrare në kufi, duke u privuar nga ushqimi dhe ilaçet. Shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, shkroi Kurti në X.

Më herët gjatë ditës autoritetet u bënë thirrje qytetarëve që me “çdo kusht” të shmangin kalimin nëpër Serbi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos