Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka informuar përfaqësuesin e BE-së për dialogun Prishtinë Beograd, Miroslav Lajçak për ndalimin e shtetasve nga Kosova në pikat kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë. Në një postim në rrjetet sociale Bislimi thekson se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nxiti gjuhën e urrejtjes nga politikanë serbë, por edhe me akte konkrete ndaj qytetarëve kosovarë.
“Progresi i Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe demokracia, arritën pikën më të lartë me avancimin ditën e djeshme drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ky lajm i mirë, fatkeqësisht nxiti gjuhë të urrejtjes nga politikanë serb por edhe akte të drejtpërdrejta kundrejt qytetarëve tanë. Qindra prej tyre, përfshirë gra dhe fëmijë, tashmë për më shumë se 13 orë, po mbahen peng nga pala serbe, në kufi me Kroacinë. Qytetarët tanë po merren në pyetje, i janë marrë dokumentet personale dhe janë lënë pa ushqim dhe mjekim”.
“Sipas tij ky akt dëshmon politikat e agresionit serb, duke ndërmarrë spastrim etnik ndaj shqiptarëve përmes mjeteve administrative në Luginën e Preshevës dhe duke bllokuar qytetarët në kufi për shkak të etnisë së tyre.
“Mbi këtë situatë, kam informuar dhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja e Serbisë dhe hipokrizia e tyre ndaj të drejtave të njeriut, të cilat vijnë nga një vend që është aktualisht anëtar i Këshillit të Evropës. Ky akt dëshmon përsëri uljen e tyre në demokraci dhe politikat e tyre të vazhdueshme të agresionit. Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po ndërmarrin spastrim etnik ndaj shqiptarëve përmes mjeteve administrative në Luginën e Preshevës, ata bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të etnisë së tyre dhe keqtrajtojnë e përndjekin politikanin opozitar Nikola Sanduloviq për shkak të shprehjes së qëndrimeve e mendimeve të tij”.
Bislimi shprehu vendosmërinë e Kosovës për të mos u dorëzuar përballë këtyre akteve të Serbisë.
“Kosova është një shtet i pavarur, sovran e demokratik. Ne nuk do të dorëzohemi përballë akteve bullizuese të Serbisë e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe normalizimit. Siç edhe Vulin ja ka qëlluar: Serbia nuk përket në Këshillin e Evropës dhe BE”. (A2 Televizion)