Akuza ndaj 53 personave për masakrën e Mejës! Betejë me kohën për zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë

Nga Ideal Gola
8 Dhjetor 2023, 20:05 | Aktualitet

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 53 personave për “Krime lufte kundër popullsisë civile” si përgjegjës për planifikimin, urdhërimin dhe ekzekutimin e 370 shqiptarëve të rajonit të Gjakovës në atë që njihet si Masakra e Mejës që kishte ndodhur në vitin 1999.

Prej këtyre të akuzuarve, 16 ishin pjesë strukturave të rëndësishme ushtarake dhe policore të Serbisë.

“Hetimi i Prokurorisë Speciale vërtetoi se në periudhën 27-29 prill 1999 ishte zhvilluar një operacion sistematik i përbashkët dhe i mirëorganizuar i Ushtrisë Jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë përcjellë edhe me grupe paramilitare”, u shpreh Drita Hajdari, Prokurore.

Përpos vrasjeve, operacioni përfshinte dëbimin e mijëra civilëve nga ai rajon, djegien e shtëpive të tyre dhe dërgimin e dhunshëm drejt Shqipërisë.

Po ashtu, po vijojnë hetimet rreth një tjetër masakre, atë të burgut të Dubravës ku në maj të vitit 1999 ishin vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe mbi 300 të tjerë ishin plagosur.

“Nën hetime në rastin e Masakrës së Dubravës janë 88 të pandehur dhe ky hetim është duke vazhduar për një kohë të gjatë sepse është një lëndë e trashëguar nga misioni i EULEX-it. Arsyeja pse po e diskutojmë këtë është se për momentin vetëm një të pandehur e kemi në paraburgim dhe urgjenca e procedimit të çështjes ndaj këtij të pandehuri është arsye ligjore”, bëri me dije Ilir Morin, Prokuror.

Kryeprokurori Blerim Isufaj deklaroi se përkundër vështirësive që rrjedhin për mungesë bashkëpunimi nga ana e shtetit serb, ata do të vijojnë hetimet për të sjellë drejtësi, pavarësisht nacionalitetit të autorëve.

“Prokuroria Speciale do të vazhdojë të punojë pa u ndalur në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krimet e luftës përkundë vështirësive që na presin”, tha Blerim Isufaj, kryeprokuror.

Mungesa e bashkëpunimit nga shteti serb dhe numri i ulët i prokurorëve që trajtojnë rastet e krimeve të luftës pranohet si pengesë e madhe edhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Bekim Blakaj nga kjo organizatë thotë se tashmë Kosova është edhe në luftë me kohen për hetimin e krimeve të luftës.

“Për fat të keq dëshmitarët po vdesin, po vdesin edhe të dyshuarit, gjetja e provave materiale është shumë e vështirë pas kësaj periudhë kaq të gjatë, nuk bëhet fjalë për gjetjen e provave forenzike”, tha Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë.

Blakaj mendon se bashkëpunimi i Serbisë mund të arrihet vetëm me presionin e ndërkombëtarëve.

“Qeveria ka mund të bëjë më shumë ndoshta edhe duke kërkuar përkrahjen e ndërkombëtarëve që ta detyrojë Serbinë që të bashkëpunojë në ndjekjen penale të krimeve të luftës”, shtoi ai.

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13 mijë civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos