Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, PDK: Qeveria u zotua se do ta themelonte Asociacionin

Nga Ideal Gola
22 Prill 2026, 19:29 | Kosova

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ka shënuar ngecje dyvjeçare si pasojë e dështimit të Qeverisë së Kosovës.

Pavarësisht vlerësimit pozitiv nga Asambleja Parlamentare më 2021, avancimi i statusit të Kosovës është pezulluar.

Deputetja Ariana Musliu-Shoshi, e cila ishte pjesë e delegacionit kosovar dy vite më parë, thotë se Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për avancimin e statusit në Komitetin e Ministrave.

“Ky nuk është një dështim procedurash, është dështim konkret politik. Ne kemi më shumë se dy vite që kemi marrë një vendim pozitiv nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, mirëpo nga ajo ditë nuk është bërë as edhe një iniciim i vetëm nga qeveria që të kemi një avancim sa i përket ngritjes së statusit apo marrjes së statusit të vendit anëtar në një institucion jashtëzakonisht të rëndësishëm siç është Këshilli i Evropës.

Musliu-Shoshi deklaroi për A2 CNN se shqetësim është edhe fakti që ka ndaluar edhe lobimi te shtetet anëtare për t’i dhënë mbështetje Kosovës në anëtarësim.

“Dështim i institucionit kryesor që është Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Kemi dështim të lobimit në shtetet mike që janë anëtare të Bashkimit Evropian. Kemi mungesë të transparencës brenda Kuvendit dhe institucioneve të tjera relevante që janë përgjegjëse për raportim në Kuvendin e Kosovës sa i përket kësaj çështjeje.

Ditë më parë, ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, akuzoi ish-emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, se kishte kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai e konsideroi këtë të padrejtë, duke kërkuar që kjo barrë t’i hiqet Prishtinës zyrtare.

Mirëpo, nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se ka qenë vetë Konjufca që, si kryetar i Kuvendit, ishte zotuar për themelimin e Asociacionit.

“Është një letër në parim që i është dërguar edhe Këshillit të Evropës, por edhe shteteve anëtare, e cila është nënshkruar nga Vjosa Osmani si presidente, nga Albin Kurti si kryeministër, dhe nga Glauk Konjufca; gjithashtu, me sa kujtoj, është edhe nënshkrimi i Donika Gërvallës. Ata janë zotuar se do ta zbatojnë Asociacionin dhe ky ka qenë një premtim që i është dërguar me letër Këshillit të Evropës.”

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të mblidhet më 14 dhe 15 maj, por në agjendë nuk është paraparë anëtarësimi i Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos