Data e zgjedhjeve në Kosovë, Haxhiu takon sot partitë politike, çfarë pritet

Nga A2 CNN
30 Prill 2026, 08:53 | Kosova

Data e zgjedhjeve në Kosovë, Haxhiu takon sot partitë politike,

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar partitë politike në orën 15:00 për konsultime lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve.

Përfaqësuesit e partive politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim, raporton A2CNN. Haxhiu ka 10 ditë kohë për të caktuar datën, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-në.

Një ditë më herët ajo takoi kreun Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin, ku u fol për zgjedhjet që duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë.

KQZ-ja ka kërkuar 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve. Kujtojmë që kjo është data e fundit ligjore për organizimin e zgjedhjeve në Kosovës.

Çështja e zgjedhjes së Presidentit të ri e zhyti Kosovën në një tjetër krizë politike. Më pak se një muaj pas betimit të qeverisë së re të drejtuar nga Albin Kurti, Vjosa Osmani në cilësinë e Presidentes shpërndau Parlamentin, pas dështimit të përpjekjeve për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Ajo nuk i kurseu akuzat për Albin Kurtin duke u shprehur se "njerëz me qëllime të rrezikshme vendosën të çojnë vendin në zgjedhje".

Ndonëse u propozua nga LDK si kandidate për Presidente, Vjosa Osmani sërish nuk u preferua nga Kurti. Tashmë Kosova do t'u drejtohet sërish kutive të votimit brenda 45 ditëve, ku pritet që ish-Presidentja të sfidojë kryeministrin në detyrë në garën zgjedhore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos