
NATO thekson se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga BE, është me rëndësi për ndërtimin e paqes në rajon. Në raportin vjetor të aleancës theksohet se Kosova dhe rajoni në tërësi mbeten një prioritet strategjik për NATO-n.
“NATO vazhdon të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, posaçërisht përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, i cili është çelësi për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajon”, thuhet në raportin vjetor.
“Rusia mbetet kërcënimi më i rëndësishëm dhe më i drejtpërdrejtë për sigurinë në zonën euroatlantike. Gjatë vitit të kaluar, Rusia është përpjekur të vërë në provë sigurinë tonë dhe të sfidojë shoqëritë tona, qoftë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimit dhe aktiviteteve kibernetike të dëmshme, apo ndërhyrjeve politike dhe kërcënimeve informative. Përgjigjja e NATO-s ndaj provokimeve të pamatura, qoftë nga Rusia apo aktorë të tjerë, ka qenë e qartë, e shpejtë dhe vendimtare”, vijon raporti. (A2 Televizion)