“Djalli fshihet në detaje”, Lajçaku nuk ia tregon PDK-LDK draft-statusin e Asociacionit

Nga Xhevahir Qardaku
7 Nëntor 2023, 13:41 | Kosova

“Dreqi fshihet në detaje”. Kështu shpreh skepticizmin e tij kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për draft-statutin europian të asociacionit, pas takimit me ndërmjetësuesin Miroslav Lajçak.

Lideri opozitar akuzoi qeverinë Kurti për mostransparencë lidhur me këtë çështje. Krasniqi shtoi se as Lajçaku nuk ia tregoi draft-statutin e asociacionit, por i konfirmoi qëndrimin e shteteve të BE-së dhe faktorëve të tjerë politikë se ai është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk shkel vijat e kuqe.

“Është e pamjaftueshme të thuhet që ky draft është apo nuk është në pajtim me Kushtetutën, pa i lexuar nga një perspektivë edhe e ekspertizës kushtetuese të gjitha nenet dhe tekstin integral të marrëveshjes. Neve na duhet t’i shohim detajet e tekstit për të qenë të sigurt se një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të Kosovës”, tha Krasniqi.

Ai shtoi më tej se kërkoi dhe heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës. Në të njëjtin qëndrim me PDK-në ishte edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Nënkryetari Lutfi Haziri nënvizoi se ka errësirë të plotë lidhur me përmbajtjen e draft-statutit të asociacionit. Në takimin e Lajçakut me liderët e opozitës në Kosovë, ishte i pranishëm edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Edhe pse ishin në të njëjtën tryezë, ndryshe nga përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së, Haradinaj tha se e ka lexuar draft-statutin e asociacionit.

“E kemi lexuar draftin në tërësi. Drafti i shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni u jep komunave me shumicë serbe, qytetarëve që jetojnë në to. Kuptohet që çdo herë i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Në këtë draft nuk ndryshojnë përgjegjësitë e komunave, pra Asociacioni nuk merr nga këto përgjegjësi”, deklaroi Haradinaj.

Vetë Lajçak reagoi shkurt për takimet me përfaqësues të opozitës, duke nënvizuar se pati një shkëmbim të mirë mendimesh për zhvillimet e fundit dhe rrugën përpara në dialog. Pas takimit me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, ndërmjetësuesi tha se ka një pajtim me autoritetet në Kosovë për hapat e ardhshëm në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, por pa dhënë hollësi se për çfarë hapash bëhet fjalë.

Sakaq, qeveria Kurti njoftoi përmes një komunikate se është “e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje të ndërsjellë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos