Pagat për të gjithë punonjësit e sektorit publik në Kosovë do të rriten nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Fillimisht, rritja do të jetë në lartësinë prej 55 eurosh, ndërsa nga 1 korriku do të shtohen edhe 55 euro të tjera, duke bërë që totali i rritjes të jetë 110 euro. Qeveria prezantoi skemën e re ku ka vendosur të rrisë sasinë e koeficientëve për një njësi në vend të vlerës. Vlera e koeficientit mbetet 110 euro, ndërsa koeficienti do të rritet me 0.5 njësi për 6 muajt e parë dhe 0.5 njësi për 6 mujorin e dytë të vitit 2025, shkruan A2 CNN.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se përmes kësaj skeme buxheti për rritjen e pagave shpërndahet proporcionalisht tek ata që kanë pagat më të ulëta, duke zvogëluar, sipas tij, hendekun në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ulët: “Për mësuesin, policin, ushtarin, infermierin, zjarrfikësin, rritja në përqindje do të jetë rreth 18-20%, kurse për pozitat më të larta rritja në përqindje do të jetë 6-7%. Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritjeje do të jetë rreth 120 milionë euro”.
Kurti tha se përgjatë qeverisjes së tij kanë arritur që të rrisin të hyrat buxhetore si asnjëherë më parë, me projektimet për vitin e ardhshëm që shkojnë në 3.3 miliardë euro. Sipas tij, kjo është bërë pa i rritur shkallët tatimore. Ai tha se rritja e të hyrave buxhetore është arritur duke luftuar kontrabandën e duke shtrënguar kontrollin e kufijve: “Të hyrat më të larta na kanë mundësuar edhe buxhet më të lartë, pa e ngarkuar arkën e shtetit me deficit buxhetor apo me borxh publik. Për vitin 2025, buxheti i planifikuar për shpenzim shënon nivelin mbi 3.6 miliardë euro, që krahasuar me vitin 2020 është për 60% më i lartë”.
Buxheti për vitin e ardhshëm pritet të miratohet gjatë së mërkurës në qeveri dhe më pas të dërgohet në Kuvend, aty ku mazhoranca kërkon mbështetjen e opozitës, edhe pse është e bindur se i ka numrat për ta kaluar e vetme.
Hekuran Murati, ministër i Financave, Transfereve dhe Punës, theksoi: “Besoj që ligji i buxhetit duke qenë shumë i rëndësishëm dhe jetik për qytetarët e vendit, për shërbyesit publikë, për pensionistët nuk do të bëhet pjesë e betejës politike apo e ndonjë fushate zgjedhore sepse është ligj i cili duhet të kalohet me patjetër, në mënyrë që të mirëmbahet dhe të ketë vazhdimësi në funksionimin e shtetit”.
Kryeministri Kurti tha se Bruto Produkti Vendor sivjet do të tejkalojë shifrën prej 10 miliardë eurove, kurse për vitin e ardhshëm pritet të shkojë përtej 11 miliardë euro. Sipas tij, falë politikave të qeverisë së tij, ekonomisë së Kosovës i shtohen nga 1 miliard euro në vit. (A2 Televizion)