Qeveria e Kosovës përmes një mbledhjeje të veçantë miratoi buxhetin për vitin 2025 në vlerë mbi3.6 miliardë euro, që është për rreth 300 milionë më i lartë sesa ai i vitit 2024.
Nga ky buxhet, 916.5 milionë euro do të shkojnë për pagat e sektorit publik, duke përfshirë edhe rritjen e pagave nga janari. Kurti tha se me rritjen e fundit, paga mesatare në sektorin publik për vitin 2025 do të jetë në lartësinë prej870 eurosh në muaj bruto, shkruan A2.
Tek kategoria “Mallra dhe Shërbime” janë planifikuar që 105 milionë euro të ndahen për nevojat e Shëndetësisë, ndërkaq 87 milionë euro tjera janë planifikuar për nevojat e sigurisë dhe mbrojtjes, që do të shkojnë në municion, pajisje e furnizime të nevojshme për policinë dhe ushtrinë, zbulon A2.
“Për vitin 2025, që në fillim buxheti i mbrojtjes do të shënojë nivelin prej 2% të Bruto Produktit Vendor, me nivelin prej 208 milionë eurove. Kjo nënkupton se me ndarjet shtesë gjatë vitit kjo do ta tejkalojë edhe këtë 2%e Bruto produktit Vendor, që është edhe standard i NATO-s”, tha Kurti.
Për investimet kapitale në infrastrukturë, Qeveria ka ndarë 930 milionë euro, me projektet kryesore rruga Prizren-Tetovë por edhe hekurudha që Kosovën me portin e Durrësit. Investimet u paralajmëruan edhe në pjesën veriore të vendit, që sipas Kurtit sigurojnë integrimin e plotë edhe me infrastrukturë, tani që sipas tij shtrirja e kontrollit dhe çështja e sigurisë janë tema të mbyllura, përcjell A2.
Rritje të buxhetit u paralajmërua edhe për komunat me gjithsej 788 milionë euro. Ndërsa Kurti thumboi edhe partitë opozitare që paralajmëruan rritje më të mëdha të pagave.
“Për shkak se zgjedhjet tashmë po afrohen, po dëgjojmë edhe shumë premtime boshe opozitare, si kundërvlerë e vendimeve të mira qeveritare. Mirëpo, për një gjë duhet të jemi të sigurt, se emisionet humoristike dhe qeverisja e përgjegjshme nuk duhet të ngatërrohen”, theksoi Kurti.
Akuzat se rritja e pagave për sektorin publik erdhi në kohë zgjedhjesh i hodhi poshtë ministri i Financave që tha se gjithçka është sipas ligjeve në fuqi.
“Të njëjtën gjë pra rritjen e pagave e kemi bërë edhe në fund të tetor të vitit 2022 për vitin 2023, edhe pse në 2023 nuk ka pasur zgjedhje. Ka rastisur që zgjedhjet të qëllojnë në muajin shkurt. Përndryshe ligji e parasheh, ligji për pagat e parasheh që pagat apo koeficienti ndryshohet me ligjin vjetor të buxhetit” Investime u thanë se do të bëhen edhe në infrastrukturën sportive për shkak të organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030””, tha ministri i Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati. (A2 Televizion)