Eksplozivi në ujësjellës, Mujka: Ndërhyrja jonë efektive mund të ketë befasuar autorët

Nga Ideal Gola
30 Nëntor 2024, 17:36 | Kosova

Rreth orës 19:00 të së premtes të datës 29 nëntor kanali i kompanisë së ujësjellësit “Ibër Lepenci” ka qenë cak i një sulmi me 15 kilogramë eksploziv.

Ky kanal është jetik pasi siguron furnizimin me ujë për një pjesë të konsiderueshme të Kosovës dhe ndihmon në furnizimin me energji për Korporatën Energjetike të Kosovës.

Gjendja aktuale në rrjetin e ujësjellësit që shtrihet në veriun e vendit konsiderohet stabile, megjithëse situata mbetet emergjente.

Aktualisht në kanalin e dëmtuar prurjet janë vetëm në çerekun e kapacitetit të plotë pasi zgjidhja e përkohshme me 6 gypa të vendosur nuk përballon me shumë prurje.

“Normal që vullneti, dëshira por edhe detyra jonë është që të rrisim kapacitetin por për të rritur kapacitetin duhet një sanim i plotë i kanalit i cili fatkeqësisht mund të marr më shumë kohë andaj kisha pasur dëshirë të apeloje dhe te qytetarët që të kenë durim pasi të gjithë jemi në terren 24 orë dhe po mundohemi t’ju ndalim në ndihmë të gjithë qytetarëve.”

Problemet aktualisht janë me furnizimin me ujë nga “Ibër-Lepenci” tek kompanitë rajonale të ujësjellësit siç është Mitrovica, Vushtria dhe Prishtina.

Për kreun e ndërmarrjes së “Ibër-Lepencit” reagimi mund të ketë befasuar edhe vetë autorët e këtij akti terrorist.

 “Jemi shumë të kënaqur me intervenimin tonë të mbrëmshem, me një organizim dhe mobilizim të shpejtë të cilën me siguri që ata që e kanë bërë këtë dëm apo këtë akt terrorist nuk e kanë pritur. Veprimi ynë i parë ka qenë shumë i shpejtë, i organizuar dhe i mirë dhe besoj që në vazhdim në afat sa më të shpejtë varësisht edhe prej kushteve atmosferike ta bëjmë të mundshme dhe furnizimin e ujësjellësave rajonalë”

Gjatë ditës së shtunë kanë vijuar punët në kanalin e “Ibër Lepencit” në mënyrë që furnizimi me ujë për termocentralet ku prodhohet energjia elektrike të mos mungojë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos