Jepet vendimi, terroristët e Banjskës dënohet me burg përjetë

Nga Ideal Gola
24 Prill 2026, 17:36 | Kosova

Blagoje Spasojeviç dhe Vladimir Toliç janë dënuar me burgim të përjetshëm ndërsa Dushan Maksimoviç me 30 vite burgim për pjesëmarrjen e tyre në aktin terrorist të Banjskës në shtator të vitit 2023.

Të tre, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të udhëhequr nga Milan Radoiçiç, u shpallën fajtorë për akuza të rënda që lidhen me veprat terroriste dhe veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Spasojeviç, 31-vjeç nga Mitrovica e Veriut dhe Toliç, 39-vjeç nga Zveçani ishin pjesëtarë aktivë të grupit terrorist që hyri ilegalisht nga Serbia përmes rrugëve malore.

Toliç mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Kosovës dhe ishte arrestuar menjëherë pas sulmit.

Ndërsa Maksimoviç, 28-vjeç, banor i fshatit Banjskë, u akuzua për bashkëpunim dhe mbështetje të grupit në realizimin e sulmit ndaj rendit kushtetues.

Ngadhnjim Arrni, gjyqtar u shpreh:  “Të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm. Në dënimin e shqiptuar i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit. Të akuzuarit Vladimir Toliq e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm. Në dënimin e shqiptuar i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit. Të akuzuarit Dushan Maksimoviq e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 viteve”

Grupi terrorist, i pajisur me dhjetëra vetura, disa prej tyre të blinduara, dhe i mbushur me armë të rënda, raketahedhës e eksplozivë, bllokoi fillimisht urën e fshatit Banjskë me dy kamionë rreth orës 01:00 të mëngjesit.

 “Janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës për t'i hequr kamionët dhe liruar rrugën, në ato momente i kanë sulmuar me eksploziv dhe armë të rënda. Me ç'rast tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti e janë lënduar zyrtarë të tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sadat Dushi”, shprehet Ngadhnjim Arrni.

Aktakuza me mbi 150 faqe listoi dëshmi të shumta, përfshirë video-incizime nga dronët dhe kamerat e sigurisë, të cilat vërtetuan lëvizjet dhe pozicionimin e tyre gjatë sulmit.

 “E gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike e shoqërore të Republikës së Kosovës. Përmes këtij plani mirë të organizuar, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t'ia bashkojnë Republikës së Serbisë”, shprehet Ngadhnjim Arrni.

Organizatori i këtij sulmi, Milan Radoiçiç dhe 41 të tjerë ishin arratisur dhe po kërkohen me fletarrest ndërkombëtar. Procesi ndaj Spasojeviçit, Toliçit dhe Maksimoviçit ishte veccuar nga ai i pjesës tjetër të grupit.

Toliç dhe Spasojeviç janë në paraburgim nga data 24 shtator 2023. Ndërsa për Maksimoviç, kjo masë ka filluar një ditë më vonë, më 25 shtator 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos