Mazhoranca gati, opozita kundër, Kuvendi pa vendim për një seancë tjetër për Presidentin

Nga Ideal Gola
23 Prill 2026, 18:07 | Kosova

Partitë opozitare do të bojkotonin një seancë të mundshme për zgjedhjen e presidentit nëse do të ftohet nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje deri të martën.

PDK, LDK dhe AAK thanë se në kushtet aktuale, me kandidatë zyrtarë dy figura të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka asnjë arsye të paraqiten në seancë.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e gatshme të ftojë seancë të jashtëzakonshme deri në përfundim të afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Arbërie Nagavci e LVV tha: “Si deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje edhe me datën 5 mars por edhe në cilindo prej ditëve që ka një propozim jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm që të votojmë për presidentin e vendit” .

Partitë opozitare sërish fajësuan kryeministrin Albin Kurti që nuk është treguar i gatshëm për kompromise për t’i shmangur zgjedhjet.

Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje dëshiron të ketë nën kontroll të gjitha institucionet. PDK, LDK dhe AAK nuk kishin marr pjesë në seancën e ftuar më 5 mars për zgjedhjen e presidentit dhe thanë se njëjtë do të veprojnë nëse ka një seancë tjetër deri më 28 prill.

Vlora Çitaku e PDK shprehet: “Ne nuk shkojmë në sallë për të bërë kuorum dhe për t’ju nënshtruar vullnetit politik të Albin Kurtit”.

Jehona Sadriu e LDK-së thotë: “Nëse ka propozime partiake siç ka qenë herën e kaluar, jo absolutisht jo, sepse ne shkojmë për të zgjedhur dhe për t’i dhënë vendit një president ashtu siç e kërkon Kushtetuta e Kosovës por jo një zgjatim të partisë së madhe e cila tenton t’i kap të gjitha institucionet kryesore të vendit”.

Besnik Tahiri i AAK-së thotë: “Nuk do të marrim pjesë në seancë ku do të jenë dy kandidatë të propozuar nga një parti. Ky shtet, këto institucione, nuk janë të një partie, janë të demokracisë, të shumë partive. Pra, nuk marrim pjesë në atë seancë”.

Që nga e hëna e 20 prillit, partitë nuk kanë bërë asnjë përpjekje për marrëveshje tjetër, ndonëse ishin deklaruar kundër zgjedhjeve të parakohshme.

Aktualisht, kandidatë për presidentë janë vetëm Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku të cilët janë propozuar me firmat e deputetëve të mazhorancës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos