Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu është shprehur e shqetësuar me deklaratat e partive opozitare të cilat janë tërhequr nga procesi i bisedimeve për çështjen e presidentit.
Ajo deklaroi se ishte vetforuar për të hequr dorë nga pozita e kryeparlamentares në mënyrë që një nga tri postet e rëndësishme t’i kalojë ndonjërës prej partive opozitare.
Sipas saj, opozita nuk po tregon vullnet për bashkëpunim dhe po përsëritet skenari i vitit të kaluar. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha: “Unë kam dëgjuar së pari partitë politike që kanë thënë që nuk bën një subjekt politik t’i ketë të gjitha pozitat: ta ketë kryetarin e Kuvendit, ta ketë qeverinë, pra kryeministrin, dhe në anën tjetër presidentin. Prandaj kam thënë që një nga pozitat e larta është pozita e kryetarit të Kuvendit, le ta marrin”.
Partia Demokratike e Kosovës thotë se zgjedhjet janë kryekëput pasojë e papërgjegjësisë së kryeministrit Albin Kurtit.
Sipas partisë më të madhe opozitare, Kurti ka shfaqur mungesë të vullnetit politik dhe dëshirë për kontroll absolut institucional.
Artan Behrami i PDK shprehet: “Zoti Kurti dëshiron ta qeverisë Kosovën me ushtrues detyre, sepse aty nuk ka përgjegjësi. As s'ka parlament me i mbikëqyr, as s'ka Amerikë me i thënë implemento marrëveshje, as s'ka Bashkim Europian me i thënë ti duhet me ndjek rrugën e Bashkimit Europian. Pra aty është konfort, në xhipat e tij 500,000 euro të blinduar edhe me xhama të zi, pra aty ky ndihet rehat”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndonëse nuk ka qenë e përfshirë në takime për çështjen e presidentit me Lëvizjen Vetëvendosje, insiston se nuk ka pasur bisedime të sinqerta për të gjetur zgjidhje.
Besnik Tahiri i AAK thotë: “Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës prej ditës së parë ky ka qenë një spektakël publik, kishim po bëjmë diçka me gjetë presidentin dhe u vërtetua që nuk ka pasur as diskutim për president, ka pasur diskutim për me hy apo me dalë në qeveri që nuk është temë”.
Diskutimet për presidentin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare u mbyllën të hënën, pasi PDK dhe LDK thanë se Kurti po insiston që presidenti të jetë nga partia e tij. (A2 Televizion)