Ndarja nga jeta e Rexhep Qosjes, Kurti mesazh ngushëllimi: Vepra e tij do të jetojë më gjatë se shekulli I tij

Nga A2 CNN
23 Prill 2026, 17:54 | Kosova

Ndarja nga jeta e Rexhep Qosjes, Kurti mesazh ngushëllimi: Vepra e tij do

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të mendimit dhe kulturës shqiptare.

Në një mesazh publik, Kurti shprehet se vepra e Qosjes do të jetojë shumë më gjatë se vetë jeta e tij, ndërsa thekson se me ndarjen e tij nga jeta, krijimtaria e tij nis një “jetë të re”, duke u rilexuar dhe rivlerësuar nga brezat që do të vijnë.

Ngushëllimi na vjen prej jetës së tillë

Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin.

Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e insiprimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave.

Natyrisht që askush nuk do të mund të thotë që ky apo ai shkrimtar a veprimtar ishte rilindasi ynë i fundit. Por sigurisht që të gjithë duhet ta themi që askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja.

Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte parreshtur.

Shkruante edhe për shkak se kishte lexuar shumë. Shkruante shumë sidomos për shkak se kishte çfarë të thoshte. Jetën e kaloi midis librave, jo pak prej të cilëve e kanë për autorë vetë atë, në bibliotekën e secilit prej nesh.

Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij. Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti – i paepur.

Dy muaj pa i mbushur nëntë dekada që ia kanë vlejtur fort për shqiptarët mbarë. U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra”, thuhet në postimin e Kurtit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos