
Pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga ish-kunati i saj, ngjarje që nxiti zemërim dhe protesta në Kosovë, ka dhënë dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri sot me dije se ka pranuar kërkesën për dorëheqje. Po ashtu kreu i qeverisë tha se ka caktuar si ushtrues të detyrës Fehmi Hotin.
"Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryeministri Kurti, pas propozimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, caktoi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti. Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij", thuhet në njoftim.
Kujtojmë që dje për rastin e të ndjerës Arlinda Zekaj, Policia e Kosovës pezulloi nga detyra 11 zyrtarë, përfshirë ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal të Pejës. (A2 Televizion)