Familja e rreshterit të vrarë, Afrim Bunjaku, është shprehur e pakënaqur që një nga tre të akuzuarit për rastin e Banjskës u dënua vetëm me 30 vite burgim.
Të premten, Blagoje Spasojeviç dhe Vladimir Toliç u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviç vetëm me tri dekada burg për pjesëmarrjen e tyre në aktin terrorist të shtatorit 2023.
Familja Bunjaku ishte mbledhur së bashku për të ndjekur vendimin përfundimtar të dhënë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Pas vendimit, ata kërkuan që Maksimoviç të marrë dënimin maksimal, njëjtë sikurse edhe dy të tjerët.
“Ne ndihemi të fyer dhe të dëshpëruar, pasi që do të ishte drejt që të gjithë ta marrin dënimin maksimal, me burgim të përjetshëm, jo vetëm me 30 vite. Nga këtu bëj thirrje që sa më parë të përgatitet ankesa drejt panelit që e ka gjykuar rastin.”, tha Arton Bunjaku, familjar i Afrim Bunjakut.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, tha se para ndonjë apelimi të mundshëm për dënimin e Dushan Maksimoviç, duhet të bëhet analiza e vendimit të trupit gjykues.
Abazi shtoi se vendimi është i mangët edhe për faktin se 42 të akuzuar të tjerë nuk janë sjellë para drejtësisë.
“Për Prokurorinë Speciale ky vendim është i mangët, përderisa nuk është përfshirë edhe pjesa tjetër e të akuzuarve në këtë aktakuzë, me krye të akuzuarin në këtë rast Milan Radoiçiq. Prokuroria do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që të njëjtit të sillen para organeve të drejtësisë.”, tha Naim Abazi, prokuror i rastit “Banjskë”.
Grupi i Radoiçiçit, të cilët u arratisën më 24 shtator të vitit 2023, po kërkohen me fletarrest ndërkombëtar.
Foto dhe video kanë qarkulluar që të njëjtit janë parë në Beograd dhe pranë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Është e vërtetë që janë të paarritshëm për drejtësinë, por këta të dyshuar do të mbeten barrë për Republikën e Serbisë. Ata kurrë nuk do të hyjnë në Bashkimin Europian pa u gjykuar ose pa i dorëzuar këta persona drejtësisë së Kosovës. Familjes së Afrim Bunjakut asnjë vendim nuk ia kthen Afrimin, por sidoqoftë kjo është një satisfaksion, jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë ne.”,Arianit Koçi, avokat i familjes Bunjaku.
Dorëzimin e Milan Radoiçiç dhe të pjesëtarëve të tjerë të grupit e kërkoi edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Ai tha se vendimi për terroristët e Banjskës ishte i drejtë, por pret dënimin e të gjithë grupit.
“Procesi i Banjskës nuk është i kompletuar dhe drejtësia nuk e merr verdiktin e saj të plotë pa u dënuar të gjithë ata që kanë marrë pjesë në ngjarjen e Banjskës, një grup terrorist i udhëhequr nga Radoiçiç dhe i mbështetur, financuar e trajnuar nga struktura të lidhura me shtetin serb.”
Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëherësh kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, e cilësoi vendimin për dënimin e tre të akuzuarve për sulmin në Banjskë si dëshmi se cenimi i rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit nuk mbetet pa ndëshkim.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se sulmi i 24 shtatorit 2023 ishte i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, duke kërkuar që ajo të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik. (A2 Televizion)