Me ceremoni solemne, homazhe për heronjtë e pavarësisë dhe thirrje për gjykimin e padrejtë që po ju bëhet në Hagë, ish luftëtarëve të UÇK, Kosova shënoi këtë të martë 18 vite pavarësi.
Në një seancë solemne në kuvend, Presidenja Vjosa Osmani tha se pavarësia e Kosovës u fitua me gjak nga ata që luftuan por nuk u nënshtruan kurrë.
Ajo theksoi se nuk do të pranojnë kurrë narrativën që barazon krimin me luftën për liri… Po ashtu kryeministri Kurti tha në fjalën e tij, se barazimi I UCK me krimet e regjimet gjenociadial të Millosheviçit është i papranueshëm. Kurti e cilësoi 18 shkurtin si ditë përkujtimi për "ata që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës".
Në seancën solemne ishte i pranishëm edhe presidenti I Shqipërisë Bajram Begaj, i cili deklaroi se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Bajram Begaj. Mesazhe të forta në mbrojtje të ish krerëve të UÇK që po gjykohen në Hagë përcollën edhe përfaqësuesit e opozitës.
I pranishëm në seancën solemne ishte edhe Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Ceremonitë përkujtimore nisën në orët e para të ditës me ngritjen e flamurit shtetëror pranë ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë në prani të krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ata zhvilluan edhe homazhe në varrin e presidentit historik Ibrahim Rugova, të veprimtarit Adem Demaçi dhe tek kompleksi memorial në Prekaz, për të nderuar familjen e komandantit legjendar Adem Jashari. (A2 Televizion)