
Gjatë fjalës së mbajtur në Prishtinë me rastin e paradës ushtarake për Ditën e Pavarësisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri një bilanc të investimeve në mbrojtje përgjatë viteve të fundit.
Ai vuri në dukje se FSK po zhvillohet si një ushtri profesionale dhe e gatshme për të mbrojtur integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve. Sipas Kurtit Kosova sot është një shtet më i fort dhe më i sigurt se kurdo herë më parë, në 18 vite pavarësi.
“Kosova e vitit 2026 është një shtet më i fortë dhe i sigurt se kurdo më parë gjatë 18 viteve pavarësi. Në vitet e fundit shpenzimet për ushtri janë shumëfishuar, numri i ushtarëve të FSK-së është dyfishuar. Investimi për blerje të pajisjeve është mbi 450 milionë euro, investime të drejtpërdrejta në armatim modern, automjete ushtarake, municion të mjaftueshëm dhe sisteme të komunikimit. Ushtrisë tonë i kemi shtuar 5 vendbanime të reja në lokacione strategjike. Filluam zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, me fabrikën e prodhimit të municioneve dhe projekte të tjera që po vijnë dhe do kontribuojnë në vendqendrueshmërinë e institucioneve të sigurisë, por edhe zhvillim ekonomik. Janë zhvilluar partneritetet strategjike me SHBA-të dhe NATO-n. Për sigurinë rajonale po forcojmë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kroacinë. FSK sot po zhvillohet si një ushtri profesionale dhe e ndërveprueshme me aleatët tanë, e gatshme për të mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve, dhe për të kontribuar krah aleatëve për paqe dhe siguri në botë”, tha Kurti. (A2 Televizion)