Kuvendi i Kosovës në seancën e së premtes miratoi rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në vitet 1998–1999.
Rezoluta ishte kërkesë e Partisë Demokratike e Kosovës dhe erdhi pas ekspozitës me të dhëna të pasakta që u shpalos në sheshet kryesore të Prishtina muajin e kaluar.
Partitë mezi arritën në pajtueshmëri për tekstin e rezolutës dhe faktin se cila pikë e rendit të ditës duhet të jetë, meqë PDK kërkoi që të ishte e para.
Por pas orësh diskutimi mes një komisioni me përfaqësues nga të gjitha partitë, u arrit akordi. Ardian Gola i LVV tha: “Teksti i kësaj rezolute është harmonizuar edhe me grupet parlamentare, LVV, LDK, Grupi Multietnik dhe AAK”.
Rezoluta përcakton se institucionet e Kosovës mbajnë përgjegjësinë kryesore për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, duke e konsideruar Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës si burimin zyrtar të të dhënave.
Ajo kërkon intensifikim të hetimeve dhe gjykimeve për krimet e luftës, përfshirë edhe përdorimin e gjykimit në mungesë, ndërsa njëkohësisht nderon viktimat dhe dëshmorët.
Nait Hasani i PDK shprehet: “Mbrojtja dhe afrimi i së vërtetës historike, si dhe respektimi i dinjitetit të viktimave, të mbijetuarve dhe të gjithë atyre që kontribuan në lirinë e vendit, përbëjnë detyrim të patjetërsueshëm kushtetues, moral dhe shtetëror në funksion të ruajtjes së identitetit kolektiv dhe të së drejtës historike”.
Rezoluta obligon institucionet shtetërore të reagojnë ndaj çdo sfidimi të së vërtetës në arenën ndërkombëtare dhe kërkon që çdo aktivitet publik mbi luftën të bazohet në burime të verifikuara.
Gjithashtu, parashikon ndalimin e financimit për projekte që deformojnë faktet dhe thekson përkushtimin e Kuvendit për mbrojtjen dhe promovimin e së vërtetës historike si bazë e shtetit.
“Duke shprehur shqetësimin e thellë për çdo përpjekje, qoftë përmes aktiviteteve publike, publikimit apo formave të tjera të komunikimit, që synojnë shtrembërimin, relativizimin apo interpretimin e pasaktë dhe tendencioz të ngjarjeve të luftës në Kosovë, duke cenuar kështu të vërtetën historike dhe ndjenjat e qytetarëve”, thotë Hasani.
Kuvendi vazhdoi punimet me ratifikimin e katër marrëveshjeve ndërkombëtare. Ato përfshijnë kredi për zhvillimin e sektorit financiar, mbështetje buxhetore përmes programeve të bazuara në politika, financim për sektorin e energjisë dhe klimës, si dhe një projekt për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.
(A2 Televizion)